UASHINGTON - Ndërsa Presidenti Joe Biden kërkon të riparojë marrëdhëniet me aleatët e SH.B.A.-ve që u ndjenë të lënë pas dore nga administrata Trump dhe të ripërkufizojë linjat ndarëse mes Amerikës dhe kundërshtarëve të saj, dy ligjvënës kryesorë që mbikëqyrin diplomacinë amerikane thonë se ndajnë objektivin e tij për të rivendosur influencën e Amerikës në skenën botërore.
Me fillimin e punës së Kongresit të ri të kontrolluar nga demokratët, dy komisionet e kongresit që vëzhgojnë politikën e jashtme - Komisioni i Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komisionit i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë - kanë kryetarë të rinj.
Gregory Meeks, një kongresmen 67-vjeçar me 13 mandate nga qyteti i Nju Jorkut, mori drejtimin e këtij komisionin në Dhomën e Përfaqësuesve në janar.
Senatori Robert Menendez, gjithashtu 67 vjeç, tani në mandatin e tij të tretë të plotë si senator nga Nju Xhersi, do të drejtojë komisionin e Senatit. Kjo do të jetë hera e parë që demokratët kryesojnë të dy komisionet që nga viti 2011.
Rivendosja e udhëheqjes amerikane
Të dy ligjvënësit Meeks dhe Menendez kanë thënë se rivendosja e lidershipit amerikan në çështjet botërore është thelbësore në planet e tyre për dy vitet e ardhshme. Të dy kanë pohuar gjithashtu sfidat me të cilat përballen SHBA nga Rusia dhe Kina, ndikimi i të cilave është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit.
"Komisioni në Kongresin e ardhshëm do të mbikëqyrë një ndryshim historik në politikën e jashtme amerikane dhe kemi shumë punë përpara nesh," tha zoti Meeks pas zgjedhjes së tij në kryesi. "Jo vetëm që do të duhet të ribashkohemi me një botë që ka ndjerë mungesën e theksuar të udhëheqjes globale të SHBA-ve, por gjithashtu duhet të rimendojmë qasjet tradicionale të politikës së jashtme."
Menendez, i cili shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve përpara se të pranonte të plotësonte një vend të mbetur bosh në Senat në vitin 2006, tha, "Në 28 vitet e mia në Kongres duke punuar në politikën e jashtme, kurrë nuk kam përjetuar një moment më të rëndësishëm për rolin e vendit tonë në botë. ... Në këtë kohë kritike, Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit do të punojë për të rivendosur udhëheqjen tonë në të gjithë botën dhe për të çuar përpara vlerat tona demokratike ".
Komuniteti i Shërbimeve me Jashtë optimist
Ka shenja të qarta se komuniteti i Shërbimeve me Jashtë të SHBA-ve është i etur për të punuar me Kongresin drejt rivendosjes së financimeve dhe për rritjen e moralit në Departamentin e Shtetit, që u dëmtuan gjatë katër viteve të fundit.
Në një konferencë të fundit të sponsorizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, Ambasadori Arnold Chacón, nënpresident i Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare, dhe ish-ambasador në Guatemalë, tha se shpreson të "punojë ngushtë" me ligjvënësit Menendez, Meeks dhe të tjerë në Kongres.
"Ne me të vërtetë duhet të rrisim këtë partneritet që kemi me Kongresin për të qenë në gjendje të arrijmë të gjitha gjërat që janë kaq të nevojshme në këtë kohë të historisë sonë," tha Chacón.
Por megjithatë, hija e ish-Presidentit Donald Trump mbi diplomacinë amerikane mund të mbetet gjatë.
Jason Miller, një këshilltar politik i Trumpit dhe mbrojtës i fortë i politikave të tij mbi tregtinë, politikën e jashtme dhe imigracionin, theksoi se Trumpi "do të vazhdojë të jetë aktiv dhe i angazhuar në politikën amerikane" dhe se ai "do të vazhdojë të bëjë presion për kandidatë që mbështesin axhendën e tij Amerika e Para".
"Dhe nuk ka rëndësi nëse politikanët i vihen pas, qofshin ata republikanë apo demokratë," i tha zoti Miller Zërit të Amerikës. "Presidenti nuk do të tërhiqet".
Duke marrë rolin e kryetarit të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Menendez kthehet në një pozicion që mbajti nga viti 2013 deri në fillim të vitit 2015, kur republikanët morën kontrollin e Senatit. Më vonë atë vit, ai dha dorëheqjen si demokrat i komisionit pasi u padit në një hetim federal për korrupsion. Akuzat më vonë u tërhoqën, megjithëse ai u "qortua ashpër" nga Komiteti i Senatit për Etikën.
Një vështrim global
Të dy ligjvënësit Meeks dhe Menendez përfaqësojnë zona elektorale që janë shumë më të larmishme se Shtetet e Bashkuara në tërësi, dhe kanë një popullsi shumë më të lartë emigrantësh. Më shumë se 40% e banorëve në distriktin e zotit Meeks në Nju Jork janë të lindur në vend të huaj, ashtu siç janë 22% e zgjedhësve të zotit Menendez. Në SH.B.A. në tërësi, të lindurit jashtë vendit përbëjnë më pak se 15% të popullsisë.
Shumë nga zgjedhësit e zotit Meeks vijnë nga vendet e Karaibeve dhe përreth, duke përfshirë Guajanën, Xhamajkën, Haitin dhe Trinidad dhe Tobagon. Vëmendja e ligjvënësit shpesh tërhiqet nga ajo pjesë e globit dhe javët e fundit ai ka qenë veçanërisht i zëshëm në kritikat e tij ndaj përpjekjes së Presidentit haitian Jovenel Moïse për të qëndruar në detyrë përtej fundit të mandatit të tij.
Menendez përfaqëson një shtet me një nga popullatat më të mëdha aziatike në vend, me segmentin më të madh të përfaqësuar deri tani nga individë me origjinë indiane. Ndërsa Menendez ka qenë kritik ndaj disa prej politikave shtypëse të Kryeministrit indian Narendra Modi, ai ka qenë gjithashtu një kritik i ashpër i veprimeve të Kinës në një mosmarrëveshje territoriale me Indinë.
Meeks tha në një deklaratë se ai dëshiron të shohë SHBA-të të angazhuara në mënyrë diplomatike jo vetëm me aleatët tradicionalë, por edhe për të zgjeruar përpjekjet e saj përtej kanaleve tradicionale.
"Ky nuk do të jetë një kthim në normalitet, por një hap përpara drejt një mënyre të re pune. Ne do të zgjerojmë fushën dhe shtrirjen tonë në pjesë të botës që historikisht i kemi anashkaluar. Ne do të kthehemi si partnerë të aleatëve tanë evropianë, por gjithashtu do të duhet të ndërtojmë marrëdhënie të reja shumëpalëshe në hemisferën perëndimore dhe Afrikë. Ne mund të trajtojmë sfidat sistematike të paraqitura nga Moska dhe Pekini vetëm me ndihmën e miqve tanë që ndajnë të njëjtin mendim".