Grupet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara thonë se po shohin një rritje të gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve ndaj aziatiko-amerikanëve që kur pandemia e koronavirusit filloi vitin e kaluar. Disa incidente të dhunshme të kohëve të fundit që përfshijnë aziatiko-amerikanë më të moshuar kanë rritur shqetësimet për ndjenjat anti-aziatike.
Protestuesit kanë dalë në rrugë për të ngritur zërin kundër urrejtjes pas një rritjeje të ndjeshme të sulmeve kundër aziatiko-amerikanëve gjatë muajit të kaluar. Sulmi i fundit ishte në Oakland të Kalifornisë.
Your browser doesn’t support HTML5
"Nëna, babai ose gjyshi im mund të ishin objekt i këtyre sulmeve në rrugë", tha Jerry Raburn nga organizata Tajlandezo-Amerikanët Kundër Urrejtjes.
Policia e Oaklandit është përgjigjur duke dislokuar më shumë burime në zonën e qytetit me popullsinë më të madhe aziatiko-amerikane
"Kemi zhvendosur burimet në komunitetin tonë në Chinatown. Kemi krijuar një postë komanduese në komunitetin e kësaj zone, duke e shtuar praninë me burime nga zona të tjera. Po ashtu kemi shtuar patrullimet rutinë në zonën e Chinatown-it", thotë Leronne Armstrong, Shef i Policisë së Oaklandit.
Sulmet e raportuara ndaj aziatiko-amerikanëve janë rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, të cilin ish-Presidenti Trump e quajti "virusi i Kinës" për shkak të origjinës së tij në Wuhan.
"Ne e dimë që rritja e racizmit anti-aziatik dhe sulmet kundër komunitetit tonë gjatë vitit të kaluar kanë patur ndikim të rëndë", tha Cynthia Choi nga organizata “Kinezët për të Drejta të Barabarta”.
Më shumë se 2,800 incidente racizmi dhe diskriminimi ndaj aziatiko-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara janë raportuar gjatë vitit të kaluar tek organizata kundër urrejtjes "Stop AAPI Hate".
Presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv muajin e kaluar që synon të luftojë diskriminimin racor kundër aziatiko-amerikanëve.
"Ai është i shqetësuar në lidhje me diskriminimin dhe veprimet kundër komunitetit aziatiko-amerikan", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
Shumica e incidenteve të raportuara kundër aziatiko-amerikanëve që nga marsi i kaluar ishin raste që përfshinin ngacmime me fjalë ose fyerje, ndërsa për rreth 9 për qind të incidenteve janë raportuar sulme fizike.