Biden, në Uiskonsin për të kërkuar mbështetje për paketën e re ekonomike

President Joe Biden talks to reporters on the South Lawn of the White House before boarding Marine One in Washington, Feb. 16, 2021. Biden is traveling to Milwaukee to participate in a town hall event.

Presidenti Joe Biden po shmang Kongresin e ndarë, duke iu drejtuar vendit të martën në një takim me qytetarët në Uiskonsin për të kërkuar mbështetje për paketën e tij të shpëtimit ekonomik prej 1.9 trilionë dollarësh.

Me ligjvënësit akoma të pasionuar nga gjyqi i javës së kaluar në Senat, ku ish-presidenti Trump doli i pafajshëm, Biden po shpreson të shmang përçarjet partiake duke iu drejtuar votuesve të zakonshëm në takimin e parë me qytetarët që do të transmetohet nga kanali CNN në Miluoki, udhëtimi i tij i parë zyrtar jashtë Uashingtonit si president.

Jen Psaki

Në transmetimin e drejtpërdrejt televiziv Biden do "të bisedojë me qytetarët në Uiskonsin, me ata që pajtohen me të, dhe me ata që janë kundër tij", tha të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. Ajo shtoi se Presidenti Biden është "i përqendruar" në miratimin e planit të tij.

Paketa stimuluese e Presidentit Biden do të dyfishonte masën e mëparshme të miratuar nga Kongresi, pas një debati të fortë, në dhjetor.

Administrata thotë se injektimi masiv i parave, duke përfshirë 1,400 dollarë çeqe për shumë amerikanë, janë jetike për të parandaluar ngecjen e rimëkëmbjes së ngadaltë ekonomike.

Një tjetër qëllim kryesor i rritjes së shpenzimeve është forcimi i operacionit të vaksinimit kundër Covid-19, një sfidë logjistike, mjekësore dhe financiare mbi të cilën mund të varet i gjithë mandati i parë i Presidentit Biden.

Por shuma e lartë e projekt-ligjit për stimulimin e ekonomisë, si dhe disa nga detajet e shpenzimeve, kanë nxitur skepticizëm në mesin e shumicës së republikanëve në Kongres.