E ardhmja e opozitës ruse pas burgosjes së Alexey Navalnit

Ka kaluar gati një muaj që nga kthimi në vend i udhëheqësit të opozitës ruse, Alexey Navalny pas trajtimit të gjatë mjekësor në Gjermani për një helmim gati fatal për të cilin ai e ka fajësuar qeverinë ruse. Ndërsa Kremlini i mohon këto akuza, një gjykatë ruse e ka dënuar me 3 vjet burg zotin Navalny për shkelje të kushteve të arrestit shtëpiak. Çfarë do të ndodhë tani me opozitën në Rusi? A do të mbijetojë ajo pa udhëheqësin e saj? Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Charles Maynes njofton nga Moska

Gjeste të reja të mbështetjes, këtë radhë simbolike, për Alexey Navalnin.

Që nga dënimi i tij në fillim të këtij muaji, autoritetet ruse kanë vazhduar të rrisin presionin mbi udhëheqësin e opozitës.

Ai ishte përsëri në gjykatë javën e kaluar duke u përballur me probleme të reja ligjore.

Ndërkohë, mijëra të arrestuar ndërsa protestonin në mbështetje të politikanit të burgosur tani po përballen me problemet e tyre ligjore.

Nga një burg në Moskë kanë filluar të dalin njoftime për kushte të rënda për të burgosurit dhe paqartësi në mesin e të afërmëve të tyre që po përpiqen të mësojnë më shumë për gjendjen atje.

Anastasia, bashkështorja e një protestuesi të paraburgosur

"Nuk mund të merrja asnjë informacion. Unë bëra disa telefonata dhe ata nuk thanë asgjë. Në mesnatë mësova se ai ishte në një burg këtu", thotë Anastasia, bashkëshortja e një protestuesi të burgosur.

Frikësimi është bërë taktika kryesore e qeverisë, ndërsa ajo po përpiqet të pengojë daljen e protestuesve në rrugë, një veprim që i bën jehonë trajtimit të disidencës politike në të kaluarën nga Bashkimi Sovjetik.

"Ne po prisnim në furgon, afër gjykatës, fillimin e seancës sonë gjyqësore. Dhe aty lexova se isha pushuar nga institucioni ku kam punuar më parë", thotë Artem Nazarov, instruktor teatri.

Fushata e zotit Navalny kundër korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë ka tërhequr vëmendjen e Kremlinit. Por analistët thonë se as helmimi i Navalnit dhe as protestat pas kthimit të tij dramatik në Rusi nuk kanë arritur t’i bëjnë sfidë serioze pushtetit dy dekadësh të Putinit.

"Kemi të bëjmë me një grup të jashtëzakonshëm ngjarjesh që në teori mund të shkaktojnë protesta të jashtëzakonshme. Një valë protestash. Por kju nuk po ndodh”, thotë Alexander Baunov, studiues në Qendrën Carnegie në Moskë.

Megjithatë, në dhjetëra mijëra protestuesit që kanë injoruar frikën e arrestimit, aleatët e Navalnit shohin një lëvizje në rritje.

"Vetëm një pjesë e njerëzve janë të gatshëm të dalin në rrugë, sepse është e frikshme. Por dhjetëra miliona njerëz i mbështesin ata. Ky është realiteti i ri politik në të cilin po jetojmë”, thotë Leonid Volkov, këshilltar i Alexey Navalnit.

Në fakt, ndryshime të thella janë duke ndodhur në qendrat urbane të Rusisë, ku mesazhi i Presidentit Putin për sigurim të një stabiliteti ekonomik më të mirë se sa në periudhën pas-sovjetike të viteve 1990 është duke u dobësuar, thonë studiuesit.

"Ka një ndryshim në vlerat midis brezave. Për të rinjtë në Rusi, vitet 1990 janë si periudha e Napoleonit. Nuk bën asnjë ndryshim. Thjeshtë e kaluara”, thotë Natalya Zubarevich nga Universiteti Shtetëror i Moskës.

Për disa prej tyre, Navalny përfaqëson politikën e së ardhmes. Por sondazhet sugjerojnë se mbështetja për zotin Putin mbetet e qëndrueshme midis rusëve të moshuar që janë të druajtur nga ndryshimet. Tani për tani, aleatët e Navalnit kanë shpallur një moratorium ndaj tubimeve në rrugë dhe synojnë rifillimin e tyre në pranverë