Në mbyllje të vitit 2020, muzeu i parë amerikan i arteve dixhitale dhe atyre eksperimentale në Uashington DC, “Artechouse”, transformoi hapësirën e vet në një ekspozitë të veçantë, në përpjekje për të ndihmuar njerëzit të përballen me ankthin e shkaktuar nga COVID-19.
Your browser doesn’t support HTML5
“Këtu kemi një instalacion ku mund të shihni siluetën tuaj, pra bëheni pjesë e artit duke kontrolluar kristalet që rriten ndërsa ju lëvizni”, thotë Lena Galperina, Drejtore e përvojës së vizitorëve në Artechouse.
Artechouse në Uashington krijon ekspozita interaktive duke kombinuar teknologjinë dixhitale dhe artin.
Ekspozita e fundit titullohet “Crystalline”. Kjo hapësirë arti është krijuar në bashkëpunim me një kompani ngjyrash në Nju Xhersi, e cila quhet Pantone sepse përcakton “ngjyrën e vitit”.
Ngjyra që përfaqëson vitin 2020, një vit plotë sfida dhe me një pandemi, është blu klasike, ngjashëm me qiellin në muzg.
“Ky ishte vit i vështirë për të gjithë ne në botë për shumë arsye. Kjo ngjyrë është përzgjedhur për cilësitë që ofron si besueshmëria, qetësia, frymëzimi dhe aftësia e kësaj ngjyre që na ndihmon të përqëndrohemi dhe të ecim përpara me besim”, thotë zonja Galperina.
Artechouse hapi ekspozita edhe në Majemi dhe Nju Jork. Secila shfaqje paraqet ngjyrën që përfaqëson ajrin, ujin, ose tokën.
Kjo në Uashington i kushtohet tokës.
“Në Uashington eskpozita gjurmon cilësitë e ngjyrës blu dhe lidhjeve me tokën dhe kristalet. Vizitorët janë të rrethuar nga kjo ngjyrë përmes përvojës audo-vizuale dhe mund të ndërveprojnë me ekspozitën në shkallë të ndryshme”, thotë drejtorja e përvojës së vizitorëve në Artechouse, Lena Galperina.
Qendra e ekspozitës përfaqëson një botë në ndryshim. Falë projektorëve të mëdhenj dhe sensorëve të lëvizjeve, çdo vizitor mund të krijojë efektet e veta vizuale.
“Të jem e sinqertë, kjo është vizita ime e dytë. Herën e fundit isha gjatë verës, ku kishte vepra arti frymëzuar nga lulet. Por sot është shumë qetësuese, kristalet, tema blu dhe gjithçka është relaksuese”, thotë Winta Vegashaw, vizitore.
“Më pëlqejnë pikturat në mure dhe mënyra se si ndërveprojnë ndryshe. Dhoma me kristale është shumë e bukur”, thotë Jay, një vizitore tjetër.
Eskpozita ka edhe disa pjesë, që mund të shihen vetëm përmes një aplikacioni të veçantë telefoni.
Organizatorët e ekspozitës shpresojnë që ky krijim qetësues dhe frymëzues të ndihmojë vizitorët të përballen me ankthin dhe të harrojnë për disa çaste realitetin e ri të krijuar nga pandemia COVID-19.