Kina, Rusia, Turqia dhe Irani janë disa nga vendet autoritare të botës që kanë përhapur gjithnjë e më shumë shtypjen politike jashtë vendit me pak pasoja, sipas një raporti të publikuar të enjten.
Freedom House, një organizatë me qendër në Uashington që mbështet demokracinë, identifikoi vendet autoritare që kanë përdorur taktika në vitet e fundit për të vrarë dhe frikësuar kritikët që jetojnë jashtë kufijve të tyre.
Me titull "Jashtë vëzhgimit, por jo të paarritshëm", raporti tha se ka patur të paktën 608 akte të shtypjes fizike kundër individëve që nga viti 2014 në 79 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Sipas raportit, rreth 3.5 milionë njerëz u ndikuan nga sulmet e drejtpërdrejta ose të tërthorta në këtë periudhë kohore.
Kina ishte shkelësi më i madh, duke kryer "fushatën më të sofistikuar, globale dhe gjithëpërfshirëse të shtypjes transnacionale në botë", tha Freedom House.
Kina përdori një gamë të gjerë taktikash kundër disidentëve jashtë vendit, duke përfshirë ujgurët, anëtarët e komunitetit kinez Han, tibetianët dhe anëtarët e lëvizjes Falun Gong, thuhet në raport. Pekini rrëmbeu gjithashtu aktivistë të mërguar si Gui Minhai, një shitës librash me shtetësi suedeze, i cili u dërgua në Kinë nga Tajlanda në vitin 2015.
Turqia renditet e dyta në përdorimin e shtypjes transnacionale, veçanërisht pas përpjekjes për grusht shteti në korrik të vitit 2016 kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Raporti thotë se Turqia u përfshi në vrasje, ekstradime ndërshtetërore, kërcënime fizike dhe "kontrolle të lëvizjes" siç janë anulimet e pasaportave dhe mohimi i ndihmës konsullore.
Në raport thuhet se Rusia u përfshi në veprime "shumë agresive" të shtypjes jashtë vendit duke u "mbështetur shumë" në vrasjet e njerëzve të konsideruar si kërcënim nga qeveria ruse.
Fushata e shtypjes nga Kremlini rezultoi në shtatë vrasje nga 26 atentate ose përpjekje për vrasje të identifikuara në të gjithë botën nga organizata Freedom House mes viteve 2014 dhe 2020.
Në raport thuhet se Irani zgjeroi fushatën e tij të fshehtë të vrasjeve jashtë vendit dhe ngacmimeve të kundërshtarëve politikë dhe disidentëve. Raporti e lidh Iranin me pesë atentate ose përpjekje për vrasje në tre vende dhe thotë se të paktën dy plane për vrasje ishin parandaluar. Në mesin e njerëzve të vënë në shënjestër nga Irani kishte gazetarë dhe disidentë që autoritetet shpesh i quanin "terroristë".
Përveç Pakistanit dhe Azerbajxhanit, të pesë republikat e Azisë Qendrore, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani, gjithashtu vunë në shënjestër shtetasit e tyre jashtë vendit me taktika si sulme dhe burgosje, nënvizon raporti i organizatës Freedom House. Arabia Saudite, Ruanda dhe Tajlanda u përmendën gjithashtu për fushata të bashkërenduara kundër shtetasve të tyre jashtë vendit.
Një numër vendesh, duke përfshirë Kinën, Rusinë dhe Turqinë, filluan të përdornin listat kriminale nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale për të shtypur individë. Këto vende vendosën emra të shtetasve të tyre jashtë vendit në listat e mbikëqyrjes kriminale të Interpolit, ndërsa agjencia kishte pak kapacitet për t'i shqyrtuar ato, thuhet në raport.
Raporti u përqëndrua kryesisht në vendet që, sipas organizatës Freedom House, në mënyrë metodike vunë në shënjestër një numër relativisht të madh të disidentëve dhe vepruan me pandëshkueshmëri në rritje për shkak të mungesës së pasojave ndaj tyre.
Freedom House nuk shqyrtoi trajtimin nga Shtetet e Bashkuara të disidentëve të saj në vende të tjera, si Edward Snowden, të cilit iu dha azil i përkohshëm në Rusi në vitin 2013 pas publikimit të dokumenteve sekrete të agjencive amerikane të zbulimit. Në vitin 2020, atij iu dha leja e përhershme e qëndrimit në Rusi.
Snowden nuk është ankuar për llojet e trajtimit që aktivistë të tjerë kanë marrë nga vendet e tyre të lindjes.