Grushti i shtetit në Mianmar, ku komandantët ushtarakë kanë shpallur një vit gjendje të jashtëzakonshme dhe kanë ndaluar udhëheqësen Aung San Suu Kyi dhe të tjerë, u dënua menjëherë nga udhëheqës perëndimorë. Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se mund të rivendosen sanksione. Grushti i shtetit pasoi një periudhë të tensionuar mes ushtrisë së vendit dhe Ligës Kombëtare për Demokraci që kishte pushtetin pasi fitoi zgjedhjet e nëntorit:
Komandantët ushtarakë, të cilët nuk i njohin rezultatet dhe kanë ngritur pretendime për manipulime në masë, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në këtë vend me demokraci të brishtë.
Në Uashington, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë vendimin për të hequr sanksionet ndaj Mianmarit.
“Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet kundër Birmanisë gjatë dekadës së fundit bazuar në përparimin drejt demokracisë. Kthimi pas e bën të domosdoshme rishikimin e ligjeve për sanksionet gjë që do të pasohet me masat e duhura,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Kina, e cila ka bërë investime serioze në Mianmar dhe ka lidhje të forta me ushtrinë birmaneze, thjesht pohoi se ishte në dijeni të ngjarjeve dhe u bëri thirrje palëve për “zgjidhjen e duhur të mospajtimeve”.
Blloku rajonal ASEAN bëri thirrje për “dialog, ripajtim dhe kthim në normalitet”. Disa vëzhgues të zhvillimeve aziatike thonë se marrja e kontrollit nga krerët e ushtrisë paraqet një sprovë për administratën e Presidentit Biden:
“Ekipi i zotit Biden do të duhet të analizojë si të kalibrojë angazhimin me Azinë, bazuar në parimet e tyre për të vënë vlerat dhe demokracinë përsëri në qendër të politikës së jashtme. Por administrata do të duhet të pranojë gjithashtu faktin se kanë fare pak ndikim në Mianmar,” thotë analisti Gregory Poling me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se ndalimi i udhëheqësve politikë është “një goditje serioze” për reformat demokratike dhe u bëri thirrje udhëheqësve ushtarakë të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve.
“Sekretari i përgjithshëm theksoi se zgjedhjet e përgjithshme të 8 nëntorit 2020 i dhanë një mandat të fortë Ligës Kombëtare për Demokraci, duke pasqyruar vullnetin e qartë të popullit birmanez për të vazhduar në rrugën e reformave demokratike,” tha zëdhënësi i OKB-së.
Raportuesi Special i OKB-së për Mianmarin, Tom Andrews tha se demokracia është përmbysur nga gjeneralët.
"Është fakt. Është revoltuese dhe shumë shqetësuese,” tha zoti Andrews.
Shefi i politikës së jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell dënoi me forcë ndërhyrjen ushtarake përmes një postimi në Twitter dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve dhe respektimin e rezultatit të zgjedhjeve. Komente të ngjashme bëri edhe kryeministri britanik Boris Johnson.