Në Shqipëri ka një debat në vijimësi mbi proçesin e vaksinimit ndaj koronavirusit. Disa ekspertë dhe opozita mendojnë se ai po ecën me ritme të ngadalta, dhe kritikojnë punën e qeverisë për sigurimin e vaksinave, dhe hartimin e strategjisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërsa përfaqësues te qeverisë thonë se kanë bërë përpjekje maksimale për të siguruar vaksinën dhe pranojnë se kanë hasur pengesa të papritura, të cilat shtynë në kohë furnizimin me 40 mijë doza të premtuara për muajin janar dhe shkurt nga kompania Pfizer. Autoritetet kanë njoftuar tre skenarë për përfundimin e vaksinimit të 2 milion të 200 mijë qytetarëve , 14 muaj, 18 dhe 22 deri në 24 muaj.
Beteja me COVID-19 është larg fundit të saj dhe të gjitha vendet po shohin si dritë në fund të tunelit vaksinimin e popullsive të tyre. Shqipëria po bën përpjekje për sigurimin e 2 milionë e 200 mijë doza vaksinash, e përllogaritur nga komiteti i ekspertëve për nevojat e gjithë popullsisë.
Në fund të vitit 2020 dhe fillim të 2021 SHBA dhe BE miratuan dy vaksina përkatësisht të kompanive Pfizer/BioNtech dhe Moderna dhe pak ditë më parë BE miratoi edhe vaksinën britanike nga kompania Astrazeneca. Me afro 2 mijë doza që kanë mbërritur deri tani po vaksionohet kryesisht personeli mjekësor. Ekspertët mendojnë se do të duhet një sasi shumë më e madhe vaksinash që ato të kenë ndikim në nivel popullate.
“Për të folur në nivel popullate, çdo shifër poshtë 5 mijë vaksinave në ditë në mënyrë konstante gjithë vitin, duke marrë si hipotezë që nuk ka sezonalitet, që efekti zgjat e kështu me radhë, të gjitha gjëra që nuk i dimë, nuk ka kuptim t’i qëndrojmë si logjikë. E para kjo për shkak të numrit, por dhe për shkak të intensistetit. Nuk mund ta shpërndajmë gjithë vitin. Duhet ta bëjmë në mënyrë intensive. Nëse ne zvarrisim proçesin e vaksinimit është pothuajse i barabartë me mungesë vaksinimi”-thotë për Zërin e Amërikës, Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik.
Autoritetet qeveritare njoftojnë se kanë arritur marrëveshje me kompaninë Pfizer për sigurimin e 500 mijë doza vaksinash deri në shtator si dhe të mbi 1 milion dozave nga aleanca COVAX ku bëjnë pjesë 190 vende, përfshi dhe ato të BE. Kjo platfromë synon sigurimin e sasive të vaksinës për vendet pjesmarrëse. Zyrtarët në Shqipëri kanë shprehur kritika ndaj saj, si dhe ndaj vetë BE-së, që siç thonë, e ka lënë Ballkanin Perëndimor jashtë skemës së shpërndarjes. Kryeministri Edi Rama thekson vështirësisë për sigurimin e saj.
“Dhe njësoj si me të tjerët Pfizer bëri një spostim në kohë. Nuk i patëm në kohë vaksinat. Ne nuk e kemi lënë vetëm në dorë të Pfizer-it planin tonë të vaksinimi. Kemi negociata të avancuara me Astrazenea-n. Ndërkohë janë disa vaksina të tjera, që janë rrugës për të dalë. Kemi filluar kontaktet paraprake për të zënë radhën, sepse këtu është një luftë e paimagjinueshme dhe është një përplasje e paimagjinueshme interesash, ashtu sikundër dhe prapaskenash, lojrash nga më të ndryshmet, për të arritur për të gjetur shtegun për të qenë më afër vaksinës”- tha Kryeministri Edi Rama, në një takim me banorë të qytetit të Korçës.
Përfaqësues të opozitës thonë se autoritetet shëndetësore nuk kanë një strategji për vazhdimësine e vaksinimit.
“Ndërkohë është parashikuar vetëm Tirana, dhe vetëm personeli i spitaleve Kovid. Çfarë do të ndodhë me personelin tjetër shëndetësor, me mjekun e familjes, me personelin shëndetësor në rrethe të cilët njësoj si ata në Tiranë përballen me infeksionin SarsCov2. Përsëri edhe në këtë drejtim ka mungesë transparence dhe strategjie”- thotë për Zërin e Amerikës Liljana Ramasaço, përfaqësuese e Departamentit të shëndetësisë në PD.
Por Komiteti i ekspertëve i hedh poshtë këto pretendime. Shefja e departamentit të epidemiologjisë në INSHP, Silva Bino jep këtë argument.
“Një element tjetër tepër i rëndësishëm është përgatitja e grupeve prioritare. Ky proces ka filluar që në nëntor dhe kemi përcaktuar grupet prioritare, që janë punonjësit shëndetësor, dhe midis tyre ne këmi bërë dhe një prioritizim, me një farë kursimi sipas sasive të vaksinave që vijnë. Ata që janë më të rrezikuar, si përshembull mjekët që punojnë në spitalet Kovid, ata që merren me urgjencat me reanimacionet, personeli i laboratorit, ai që merr mostra dhe në këtë mënyrë do të vazhdojë me mjekët e familjes me obstetër gjinekologe, mjekë që shërbejnë pranë të sëmurëve me kancer dhe që janë të rrezikuar", shpjegon për Zërin e Amerikës Silva Bino, Shefe e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP.
Vaksinimi do të vijojë sipas autoriteteve, paralelisht me personelin shëndetësor, me personat në shtëpitë e të moshuarve, ata mbi 90 vjeç, mbi 80, 70 dhe 65 vjeç, me ata që kanë sëmundje kronike, për të vijuar me mësuesit, punonjësit e policisë e kështu me rradhë.
Por çfarë mendojnë qytetarët për vaksinën, a janë të gatshëm ta bëjnë atë? Disa prej tyre u shprehën për Zërin e Amerikës, se janë dyshyes për shkak se virusi po pëson mutacion siç thonë, dhe se nuk janë të sigurt nëse do t’i mbrojë vaksina, ndërsa disa të tjerë shprehen, se do ta bëjnë atë pa asnjë hezitim.
Qeveria ka bërë publike tre skenarë për përfundimin e vaksinimit. I pari parashikon 14 muaj, i dyti 18 dhe i treti 22 deri në 24 muaj. Por rruga e parashikuar nga autoritetet zyrtare për ekspertët është e gjatë pasi ata i referohen dhe ndryshimeve tek virusi, duke veçuar varantet e reja atë të Anglisë, Afrikës së Jugut dhe Brazilit. Sipas studimeve, vaksina e Pfizer thonë ekspertët, është e efektshme ndaj variantit anglez të koronavirusit, ndërsa s’ka të dhëna për dy varinatet e tjera.
“Kjo e bën akoma edhe më të rëndësishme strategjinë e Izraelit që hyn sot në mënyrë intensive me virusin që njohim, sepse deri në vjeshtë virusi mund të ndryshojë, askush s’ka garanci”- argumenton Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik.
Në këtë fazë për eskpertët ka mjaft rëndësi që autoritetet të kryejnë studime mbi ndërvëperimin e imunitetit natyror të popullatës me atë artificial.
“Kemi bërë një studim i cili është kryer me rastet e para,dhe ka lidhje me transmetueshmërinë e virusit, por në këto raste ne kemi marrë dhe mostra serologjike, që në ditën e parë të sëmundjes dhe pas tre javësh. Rezultatet i kemi përfunduar dhe jemi në proçesin e analizimit të të dhënave. Ndërkohë ne do të kryejmë një studim tjetër të seroprevalencës në popullate, në dy zona në Tiranë dhe në Vlorë", shprehet Silva Bino, Shefe e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP.
Strategjia e vaksinimit në Shqipëri pritet të kalojë në një rrugë të gjatë dhe të vështirë, nisur jo vetëm nga përpjekjet për të siguruar vaksinën, por dhe nga mutacionet e virusit, për të cilin shkencëtarët thonë se ende dinë shumë pak rreth tij.
Organizata Botërore e shëndetësisë deklaroi pak ditë më pare, se ekonomia globale do të përballet me dëme që shkojnë deri ne 9.2 trilion dollarë, nëse qeveritë nuk u sigurojnë vendeve në zhvillim qasje në vaksinën antikovid. OBSH thekson nevojën për shpërndarje në mënyrë të barabartë të saj edhe tek vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, pasi siç shprehet OBSH nacionalizmi i vaksinave mund të shërbejë për qëllime politike afatshkurtra, por mbëshetja për shpërndarjen e drejtë do të jetë në interesin ekonomik afatmesëm dhe afatgjatë të çdo vendi.