Presidenti Joe Biden u takua të hënën me një grup prej 10 senatorësh republikanë që kanë propozuar një paketë prej 618 miliardë dollarësh në përgjigje të koronavirusit. Kjo shifër është afro 30% e shumës që ka kërkuar presidenti.
Pas takimit Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë ku thotë se Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris zhvilluan një “diskutim substancial dhe produktiv” me senatorët dhe se presidenti u tha senatorëve republikanë se propozimi i tyre për një paketë prej 618 miliardë dollarësh nuk adreson problemet urgjente në një numër fushash. Takimi ishte përshkruar si diskutim idesh dhe nuk pritej diskutimi i një kompromisi.
Presidenti shton se “nuk do të pranojë një paketë që nuk arrin t’i përgjigjet nevojave të kësaj situate”.
Takimi i pasdites i dha rastin Presidentit demokrat të shikojë mundësinë për një paketë me mbështetje dypartiake kundër pandemisë që ka lënë më shumë se 442,000 të vdekur në SHBA dhe ka goditur ekonominë e vendit.
Zoti Biden ka shprehur interes për të punuar me republikanët e Kongresit. Shtëpia e Bardhë u premtoi senatorëve republikanë "një shkëmbim të plotë pikëpamjesh".
Republikanët propozojnë një alternativë që do të siguronte 600 miliardë dollarë ndihmë financiare - më pak se një e treta e paketës së Presidentit Biden. Shtëpia e Bardhë nuk ka treguar asnjë shenjë tërheqjeje nga propozimi i saj, që zyrtarët e administratës e kanë përshkruar si të nevojshëm për të përmbushur nevojat e vendit në krizë.
Zoti Biden dhe stafi i tij pritet t'u paraqesin senatorëve republikanë detaje se si paketa e tij e ndihmës do t’u sillte përfitime shteteve të tyre përkatëse, tha një ndihmës i Shtëpisë së Bardhë.
"Z. President, ne i njohim thirrjet tuaja për unitet dhe duam të punojmë në mirëbesim me administratën tuaj për të përmbushur sfidat shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore të krizës COVID," thanë senatorët republikanë Susan Collins, Lisa Murkowski, Mitt Romney dhe shtatë të tjerë në një deklaratë të hënën.
"Ne ndajmë shumë nga përparësitë tuaja," shtuan ata.
Plani republikan nuk ofron ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale, një nga pikat që një këshilltar i zotit Biden tha se demokratët në Kongres e kërkojnë me ngulm. Sipas hollësive të lëshuara nga ligjvënësit, propozimi republikan gjithashtu nuk i përmbahet një tjetër kërkese të domosdoshme, duke ofruar vetëm 1000 dollarë pagesa direkte për amerikanët, krahasuar me 1,400 dollarë të kërkuara nga zoti Biden.
Miratimi i legjislacionit të ri të ndihmave jo vetëm që mund të ishte i dobishëm për amerikanët dhe bizneset por do të ofronte një provë të parë të premtimit të zotit Biden për të kapërcyer ndarjet partiake në Uashington.
Dhjetë vota republikane, bashkë me mbështetjen e 50 demokratëve dhe të pavarurve, do të ishin të mjaftueshme për ta miratuar shpejt legjislacionin dypartiak përmes Senatit me 100 vende. Nën ish Presidentin republikan Donald Trump në Kongres pati pak bashkëpunim mes dy partive për çështjet e mëdha legjislative.
Veprimi me shpejtësi i Kongresit për pandeminë është një synim kryesor i Presidentit Bajden. Por republikanët kanë vënë në pikëpyetje propozimin e tij prej 1,9 trilion dollarësh, i cili vjen pas 4 trilion dollarëve ndihma financiare të miratuara nga Kongresi vitin e kaluar.