Ndërsa një pjesë e mirë e botës e mirëpriti zgjedhjen e Joe Bidenit si president i SHBA, disa në Izrael janë të shqetësuar se ai mund të ndryshojë politikën amerikane për Lindjen e Mesme. Shumica e analistëve izraelitë thonë se Lindja e Mesme do të jetë shumë poshtë në listën e përparësive të zotit Biden, pas çështjeve më të ngutshme të politikës së brendshme. (Linda Gradstein njofton për Zërin e Amerikës nga Jeruzalemi.
Your browser doesn’t support HTML5
Palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Gazë e mirëpritën zgjedhjen e Presidentit Joe Biden, duke shpresuar për një ndryshim nga politikat e ish-Presidentit Trump për Lindjen e Mesme.
"Përparësia numër një e palestinezëve është të rikthejnë në rrugën e duhur të ashtuquajturin proces të paqes. Ata duan që administrata Biden të risjellë zgjidhjen me dy shtete, që ata besojnë se u shkatërrua plotësisht nga administrata Trump. Ata duan të rifillojnë kontaktet me administratën amerikane. Palestinezët e kanë bojkotuar administratën që nga dhjetori 2017 kur zoti Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit," thotë gazetari palestinez Khaled Abu Toameh.
Administrata Biden thotë se "angazhimi i saj për sigurinë e Izraelit është i shenjtë", sipas Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
"Mënyra më e mirë, dhe mbase e vetme, për të siguruar të ardhmen e Izraelit si një shtet demokratik hebre dhe për t'u dhënë palestinezëve shtetin për të cilin ata kanë të drejtë është përmes së ashtuquajturës zgjidhje me dy shtete", tha zoti Blinken.
Qeveria izraelite e Benjamin Netanyahut u lidh ngushtë me ish-Presidentin Trump dhe disa thonë se Izraelit do t'i duhet të punojë shumë për të rifituar mbështetjen e demokratëve në SHBA.
“Ne nuk duhet të kishim rrezikuar pasurinë numër një që kemi në Amerikë dhe që është mbështetja dypartiake. Kjo është dëmtuar dhe mendoj se ky është minusi kryesor për Izraelin kur zoti Trump ishte president," thotë Sallai Meridor, ish ambasador izraelit në SHBA.
Shumica e analistëve izraelitë thonë se Lindja e Mesme do të jetë shumë poshtë në listën e përparësive të zotit Biden, pas çështjeve më të ngutshme të brendshme. Kur ai t’i kthehet Lindjes së Mesme, ka të ngjarë të përqendrohet tek Irani.
Izraeli e ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 për Iranin, duke thënë se ajo i hapte Iranit një rrugë ligjore për të patur armë bërthamore.
“Irani do të kryesojë axhendën e Lindjes së Mesme sepse kjo është çështja më urgjente në rajon. Jo vetëm për shkak të projekteve bërthamore të Iranit, të cilat padyshim që janë një problem global, por edhe sa i përket ndërhyrjes së Iranit në Lindjen e Mesme. Nuk ka luftë civile në Lindjen e Mesme ku Irani nuk është përfshirë në një mënyrë apo një tjetër, dhe në një mënyrë që shumica e botës e percepton si jashtëzakonisht destabilizuese,” thotë Amotz Asa-El, i Institutit Hartman.
Shumica e zyrtarëve izraelitë e pohojnë se zoti Biden ka qenë prej kohësh një mbështetës i Izraelit. Por ai gjithashtu mbështet një shtet palestinez dhe mund të përpiqet të bëjë presion ndaj Izraelit që të kthehet në bisedimet e paqes.