Kapelanët e spitaleve në vijën e frontit mes rritjes së rasteve me Covid-19

Kapelanët e spitaleve në vijën e frontit mes rritjes së rasteve me Covid-19

Kapelanët e spitaleve janë bërë punonjës të vijës së parë ndërsa shumë pacientë luftojnë me COVID-19 në spitalet në mbarë Shtetet e Bashkuara. Në kushtet kur pacientët nuk mund të vizitohen nga të dashurit e tyre, kapelanët ofrojnë ngrohtësi për ta dhe mundësojnë lidhjen me familjet e tyre në distancë.

Sapo kthehet nga puna, Kevin Deegan në fillim fut në lavatriçe robat e tij dhe lahet. Pastaj i afrohet bashkëshortes dhe përqafon fëmijët e tij të vegjël.

Kevin Deegan është kapelan në spitalin e Luginës San Fernando në Los Anxhelos dhe për gati një vit ai dhe kolegët e tij u kanë shërbyer çdo ditë një numri gjithnjë në rritje të njerëzve që vuajnë dhe shpesh vdesin nga koronavirusi.

Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa e rëndë është gjendja, se sa e pashembullt është koha në të cilën po jetojmë”, thotë Kevin Deegan, kapelan i qendrës mjekësore Providence Holy Cross.

Javën e kaluar mbi dhjetë njerëz vdiqën në një ditë të vetme në spitalin ku punon zoti Deegan. Detyra e tij, dhe e kolegëve të tij klerikë në spitalin Holy Cross me 377 shtretër, është t'u shërbejë të gjithë pacientëve dhe të dashurve të tyre.

Kështu që çdo ditë në 11 muajt e fundit ai ka hyrë në dhomat e të sëmurëve dhe atyre që janë pranë vdekjes, i veshur me maskë, mburojë fytyre, doreza dhe mbulesë të plotë të trupit për t'u lutur me ta, për t’i inkurajuar dhe qetësuar ata.

Ndërkohë, anëtarët e pikëlluar të familjeve, që nuk lejohen të hyjnë në spital për shkak të virusit vdekjeprurës, i shohin të dashurit e tyre përmes një iPadi që ai sjell me vete.

"Zonja Leticia, jam Kevini, kapelani i spitalit. Do të lutemi bashkë tani", thotë zoti Deegan, i cili përmes iPadit e përfshin në lutje edhe djalin e zonjës Leticia, Jayson Lim.

Më vonë, ai takoi jashtë ndërtesës së spitalit djalin e zonjës Leticia, Jayson Lim, i cili e priste pranë derës për ta falenderuar.

"Ishte e dhimbshme dhe në të njëjtën kohë inkurajuese pasi arrita ta shoh mamin duke u lutur me pastorin", tha ai përpara se t’i thoshte kapelanit Deegan: "Faleminderit, Zoti të bekoftë".

Kapelani Deegan dhe kolegët e tij nuk kanë parë një situatë të tillë para pandemisë së COVID-19, e cila vitin e kaluar filloi të vriste me qindra mijëra njerëz.

Spitali Holy Cross është i mbushur me pacientë të infektuar me COVID-19 dhe është detyruar të përdor një pjesë të hapësirave të kujdesit intensiv dhe ato për trajtime me të lehta për të përballuar valën e pacientëve me koronavirus.

Një zonë e improvizuar në fund të një korridori madje është kthyer në një dhomë spitali. Që nga rritja e numrit të infeksioneve muajin e kaluar, spitali tani trajton vetëm rastet urgjente që mund të jenë rrezik për jetën.

Ndërsa Kevin Deegan dhe rreth dhjetë kapelanë të tjerë mbulojnë orarin 24 orësh në shtatë ditët e javës, të gjitha funksionet e tjera normale të spitalit vazhdojnë.

Zhurma nga zilet e makinerive që mbajnë njerëzit gjallë vazhdon pa pushim ndërsa pacientët dërgohen në dhomat e urgjencës dhe gjithë personeli mjekësor nxiton të shpëtojë jetët e tyre. Dhe njerëzit po vdesin.

Të hënën 11 persona vdiqën në spital, tre prej të cilëve kishin komunikuar me kapelanin Kevin Deegan, i cili tha se fytyrat, zërat dhe të qarat e viktimave i dëgjonte në mbrëmje ndërsa përpiqej të flinte.

Ndërsa kapelania Anne Dauchy lutet për një grua në momentet e saj të fundit, të dashurit e pacientes dëgjohen përmes iPadit të saj duke qarë.

"Ne përpiqemi ta rimendojmë atë që ne e quajmë mrekulli. Nganjëherë mrekulli është të jetosh edhe një ditë tjetër, ose të shohësh një pacient që i hap sytë", thotë kapelania e rraskapitur.