Një kompani amerikane për numërimin automatik të votave ka ngritur një padi prej 1.3 miliardë dollarësh kundër avokatit të ish-Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani. Sipas dokumentave të paraqitura në gjykatë kompania Dominion e akuzon zoti Guliuani për shpifje në atë që e quan fushatën e tij të "gënjeshtrës së madhe" për manipulime të shumta në zgjedhjet presidenciale.
Kompania Dominion Voting Systems Inc me bazë në Denver, kishte ngritur më parë një proces gjyqësor kundër avokates së fushatës së ish-Presidentit Trump, Sidney Powell, të cilën kompania e akuzoi gjithashtu për përhapjen e teorive të rreme të konspiracionit në lidhje me zgjedhjet ku ish-presidenti Donald Trumpi humbi ndaj demokratit Joe Biden.
Edhe një punonjës i kompanisë Dominion, Eric Coomer, paraqiti një padi për shpifje kundër fushatës së ish Presidentit Trump, duke thënë se ai ishte detyruar të fshihej për shkak të kërcënimeve me vdekje që kishte marrë nga mbështetësit e zotit Trump.
Zoti Giuliani dhe avokati i tij, Robert Costello, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente.
Zoti Giuliani vazhdoi të këmbëngulte tek pretendimet e tij në lidhje me zgjedhjet, duke thënë javën e kaluar gjatë një emisioni në radio se ai po sulmohet për "ushtrimin e të drejtës së fjalës së lirë dhe mbrojtjen e klientit" të tij.
Zoti Trump dhe aleatët e tij mohuan për më shumë se dy muaj humbjen e tij në zgjedhje dhe pretenduan pa prova se ajo ishte rezultat i mashtrimit të gjerë të votave, para se mbështetësit e tij të sulmonin Kapitolin më 6 janar.
Kompania Dominion po kërkon 1.3 miliardë dollarë dëmshpërblim nga ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, duke pretenduar se "ai dhe aleatët e tij prodhuan dhe shpërndanë" Gënjeshtrën e Madhe ", e cila u përhap me shpejtësi dhe mashtroi miliona njerëz që besuan se Dominion u kishte vjedhur atyre votat dhe kishte manipuluar zgjedhjet".
Dominion tha se ngriti padinë "për të paraqitur faktet e vërteta" dhe për të "mbrojtur reputacionin e saj, të punonjësve të saj dhe të procesit zgjedhor".
Javën e kaluar, një grup avokatësh të shquar i kërkuan sistemit gjyqësor të Nju Jorkut të pezullonte liçencën e avokatit për zotin Giuliani sepse ai bëri pretendime të rreme në proceset gjyqësore paszgjedhore duke nxitur mbështetësit e Trumpit që të sulmonin Kapitolin në 6 janar.
Kompania Dominion thotë se ka shpenzuar 565,000 dollarë për të mbrojtur punonjësit e saj, të cilët janë përballur me ngacmime dhe kërcënime me vdekje.