Arrestimi i udhëheqësit rus të opozitës Alexey Navalny ka shkaktuar reagime në komunitetin ndërkombëtar dhe thirrje në rritje për lirimin e tij. Udhëheqësi i opozitës ka kaluar tani nga lufta për jetën e tij pas helmimit në luftën për lirinë e tij.
Në aeroportin Vnukovo të Moskës, u panë dhjetra policë, të cilët u thanë udhëtarëve se kjo ishte një natë e pazakontë.
Mbështetësit e Alexei Navalnit kishin ardhur për të mirëpritur kthimin e politikanit opozitar.
Navalny u kthye gati pesë muaj pas dërgimit për trajtim mjekësor në Gjermani për helmimin dhe shenjave se Kremlini donte që ai të qëndronte atje.
"Ai nuk ka frikë nga vdekja dhe as nga burgosja. Njerëzit në Rusi janë krenarë me të dhe ai më frymëzon mua personalisht”, thotë Ana, banore e Moskës.
Zoti Navalni akuzon Presidentin Vladimir Putin dhe shërbimet esigurimit për helmimin e tij, akuza që udheqësi rus i ka mohuar me forcë. Kremlini argumenton se Navalni është politikisht i parëndësishëm për të tërhequr vëmendje të nivelit të tillë.
E megjithatë, destinacioni i fluturimit të Navalnit u ndryshua dhe ai u dërgua në një aeroport tjetër ku u ndalua nga autoritetet.
Arrestimi ka shkaktuar reagim ndërkombëtar dhe kërkesa në rritje për lirimin e udhëheqësit të opozitës.
"Me veprimet e tyre në 24 orët e fundit, zoti Putin, gjykatësit, dhe qeveria e tij i kanë dhënë më shumë rëndësi dhe vëmendje ndërkombëtare Navalnit dhe kauzës së tij", thotë Roger Wicker, Kryetar i Komisioni të Helsinkit në Senatin amerikan.
Zyrtarët e Kremlinit këmbëngulin se Perëndimi po ndërhyn në çështjet e brendshme ruse.
Por një seancë e pazakontë e zhvilluar në një gjykatë të improvizuar brenda një stacioni policie sugjeron se qeveria dëshiron ta mbajë Navalnin larg vëmendjes së publikut.
Në një postim për mediat sociale, zoti Navalni e quajti veprimin "kulm të paligjshmërisë".
Ai tani do t’i kalojë 30 ditët e ardhshme në një burg të Moskës dhe përballet me mundësinë e burgimit me vite të tjera ndërsa qeveria përgatit akuza të reja penale.
“Ata janë gati të tregohen mizorë, absolutisht mizorë. Në fund të fundit, ata donin ta helmonin dhe nuk kanë problem ta burgosin si një hap tjetër pas shërimit", thotë Andrei Kolesnikov nga Qendra Carnegie në Moskë.
Por, Navalni tregoi befasinë e tij: një hetim i ri i publikuar në internet i cili tregon një pallat sekret të ndërtuar, sipas tij, për presidentin rus.
Videoja mori miliona klikime.
Navalni gjithashtu u ka bërë thirrje mbështetësve të protestojnë në rrugë.
Një protestë mbarëkombëtare pritet të mbahet këtë fundjavë pavarësisht një vendimi për ndalimin e saj nga qeveria për shkak të masave kufizuese të koronavirusit.
Ky është kapitulli tjetër në një ballafaqim të rëndësishëm.
Në sytë e shumë njerëzve, në këtë ballafaqim Putini mban frenat e pushtetit, ndërsa Navalni të drejtën morale.