Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara do të dorëzojë të hënën në senat akuzat për nxitje rebelimi ndaj ish-Presidentit Donald Trump, duke hedhur poshtë një kërkesë nga kreu i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell për një shtyrje.
Kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer që zëvendësoi zotin McConnell si kreu i shumicës në Senat, e bëri njoftimin të premten por nuk tha se kur do të fillonte gjyqi i ish-presidentit Trump.
Paraqitja e akuzave vë në lëvizje një proces gjyqësor në Senat, vendimi i të cilit mund ta ndalojë ish-presidentin të mbajë një post federal në të ardhmen.
"Dhoma e Përfaqësuesve do të dorëzojë akuzat në Senat. Senati do të zhvillojë gjykimin e Donald Trumpit Do të jetë një gjyq i plotë. Do të jetë një gjykim i drejtë," tha senatori Schumer në sallën e Senatit.
Vendimi erdhi pasi zoti McConnell i kishte kërkuar Dhomës së Përfaqësuesve që të shtynte dorëzimin e akuzave deri të enjten e ardhshme dhe të binte dakord që fillimi i gjyqit kundër ish-Presidentit Trump të shtyhej deri në mes të shkurtit, për t'u dhënë kohë avokatëve të tij për të përgatitur një mbrojtje kundër akuzave për nxitje të protestës së dhunshme.
“Procesi për shkarkimin filloi me një procedurë jashtëzakonisht të nxituar dhe minimale në Dhomën e Përfaqësuesve, tha zoti McConnell të premten.
“Nuk mund të pasohet me një proces të mangët në Senat që do t’i mohonte ish-Presidentit Trump procesin e duhur, ose të dëmtonte senatin apo edhe vetë presidencën”, shtoi ai.
Dhoma e Përfaqësuesve i miratoi akuzat javën e kaluar në përgjigje të sulmit vdekjeprurës në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit Trump.
Ish-presidenti republikan u largua nga zyra të mërkurën dhe udhëtoi për në vendpushimin e tij në Florida, disa orë para se të betohej demokrati Joe Biden.
Demokratët kontrollojnë Senatin me epërsinë më të ngushtë të mundshme, duke u mbështetur në votën e Nënpresidentes Kamala Harris për të thyer ndarjen në mënyrë të barabartë të votave 50-50, dhe gjithashtu kanë nevojë për bashkëpunimin e republikanëve për të çuar përpara shumë elemente të axhendës së Presidentit Biden, si dhe për të konfirmuar emërimet për Kabinetin e tij.
Zoti Trump është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë, dhe gjyqi i tij në Senat do të jetë i vetmi që ka ndodhur ndonjëherë pasi një president është larguar nga detyra.