Majori i ushtrisë shqiptare Xhevahir Jazaj, me mision pranë trupave shqiptare që veprojnë në Afganistan, në zonën e Heratit, nën komandën italiane ka humbur jetën mbrëmjen e së martës, në orën 22:40 ora lokale në Afganistan.
Në njoftimin e saj, ministria e Mbrojtjes nuk jep asnjë hollësi mbi ngjarjen, duke shpjeguar vetëm se “autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA po bashkëpunojnë me komandën e operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja”.
Në një status në Facebook, pasdite, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shkruajti se “largimi nga jeta i një ushtaraku, aq me tepër në mision larg atdheut, është një ngjarje e dhimbshme për të gjithë”. Ai bëri të ditur se kishte patur “një komunikim të drejtpërdrejtë me kontingjentin shqiptar që shërben në Herat dhe Kabul. Ndava me ta ngushëllimet për humbjen e shokut te tyre dhe i sigurova se gjithë shqiptarët janë me mendje e me zemër pranë tyre. Ata janë krenaria jonë në raport me aleatet në NATO e partnerët tanë strategjike SHBA dhe BE me të cilët ndajmë sfida të përbashkëta të mbrojtjes kolektive, paqes dhe sigurisë”.
Në vitin 2012, po në Afganistan, një oficer i ushtrisë shqiptare, Feti Vogli, mbeti i vrarë pas një sulmi të papritur ndodhur në Kandahar, ndaj njësisë amerikano-shqiptare, ku bënin pjesë, ai dhe ushtaraku tjetër Aleksandër Peci, i cili u plagos rëndë.
Ndërsa në vitin 2019, dy ushtarakë të tjerë, majori Klodian Tanushi dhe nëntetarja Zarife Hasanaj, humbën jetën në një bazë të Natos në Letoni, ndërsa po merreshin me pastrimin e një zone nga predhat e përdorura gjatë një stërvitjeje të forcave shumëkombëshe.