SHBA, shënohet Dita e Martin Luter Kingut mes pandemisë dhe dhunës politike

MLK

Amerikanët shënojnë të hënën Ditën e Martin Luther Kingut mes pandemisë globale që ka detyruar zhvendosjen e shumë aktiviteteve në internet dhe në një kohë kur vendi po përballet me kërcënime për dhunë politike në prag të inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Çdo vit të hënën e tretë të janarit, amerikanët nderojnë udhëheqësin e vrarë të të drejtave civile, i cili në vitet 1950 dhe 1960 organizoi protesta jo të dhunshme kundër ndarjeve racore në jug të vendit, në mbështetje të luftës për barazinë e afrikano-amerikanëve dhe të drejtën e votimit.

Tradicionalisht kjo ditë ofron mundësi që njerëzit të përkujtojnë punën e Martin Luter Kingut duke marrë pjesë në projekte të ndryshme në mbështetje të komunitetit. Megjithatë, pandemia dhe paralajmërimet për dhunë në qytetet anembanë vendit kanë ndikuar në mënyrën e përkujtimit të kësaj dite këtë vit.

Ajo vjen vetëm dy ditë para inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden në Uashington, ku janë dislokuar rreth 25,000 trupa të Gardës Kombëtare për t’u kujdesur për sigurinë pas dhunës së javës së kaluar në Kapitol nga një turmë e mbështetësve të Presidenit Trump, në të cilën humbën jetën pesë njerëz.

Zyrtarët federalë kanë thënë se një numër i pjesëmarrësve në protestën e dhunshme ishin supremacistë të bardhë. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu për potencialin për dhunë të mëtejshme politike në Uashington dhe në kryeqytetet e shteteve në të gjithë vendin.

Shëtitorja Kombëtare e Uashingtonit është mbyllur për publikun dhe sistemi i transportit publik të qytetit është kufizuar në mënyrë dramatike për shkak të kërcënimeve para ditës së inaugurimit.