Joe Biden është gati të inaugurohet të mërkurën në shkallët e Kapitolit në Uashington, si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Ngjarja kombëtare nën masa të rrepta sigurie vjen mes njoftimeve se grupe ekstremiste të brendshme mund të protestojnë përsëri për rezultatet e zgjedhjeve.
Rojet e armatosura në kryeqytetin amerikan po punojnë për të siguruar që inaugurimi këtë javë i Joe Bidenit si presidenti i 46-të, të zhvillohet në mënyrë paqësore. Ceremonia, e ndryshuar tashmë për shkak të pandemisë, do të jetë edhe më e kufizuar pas dhunës në Kapitol më 6 janar. Ekipi i zotit Biden thotë se inaugurimi do të dërgojë një sinjal vizual për amerikanët dhe botën për qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.
Your browser doesn’t support HTML5
"Mezi presim që Presidenti i zgjedhur Biden të vërë dorën mbi Bibël mesditën e 20 janarit", thotë Kate Bedingfield drejtore e ardhshme e Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Donald Trump nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të zotit Biden, presidenti i parë në historinë moderne që e bën një gjë të tillë. Në vend të kësaj, ai ka në plan të mbajë një ceremoni largimi nga baza ushtarake Andrews në Merilend përpara se të fluturojë për herë të fundit me avionin Air Force One për në Palm Beach, të Floridas. Sipas qendrës hulumtuese Pew Research, Presidenti Trump largohet nga Shtëpia e Bardhë me një nivel mbështetjeje prej 29%, më e ulta në presidencën e tij,.
Në mbarë vendin, ndërtesat e kongresit të shteteve kanë forcuar sigurinë në pritje të protestuesve, të cilët pretendojnë në mënyrë të gabuar se zgjedhjet e 3 nëntorit u vodhën.
Në Olimpia, kryeqyteti i shtetit të Uashingtonit, u instalua një gardh i lartë përreth ndërtesës së kongresit në pritje të protestave.
"Jam i zhgënjyer që jemi në këtë pikë ku duhet të vendosim gardhe për të mbajtur njerëzit që nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë të jesh amerikan, të sulmojnë demokracinë tonë", thotë Joe, banor i Olimpias.
“Gardhet dhe sendet e tjera janë vënë kundër njerëzve si unë. Ajo që ka ndodhur këtu është se shteti e di se shumica e njerëzve nuk besojnë se këto zgjedhje ishin legjitime. Ata po mbrojnë zgjedhjet që kundërshtohen nga shumica e njerëzve, kjo është ajo që po bëjnë. Pra, po vendosin gardhet dhe po sjellin roje të armatosura për të mbrojtur zgjedhjet e vjedhura", thotë John Hess, mbështetës i Trumpit.
Për të adresuar ndarjen në vend, fjalimi i inaugurimit të zotit Biden ka të ngjarë të përqendrohet tek bashkimi.
"Mendoj se Presidentit të zgjedhur Biden do t’i jepet rasti të kthejë faqen e përçarjes dhe urrejtjes së katër viteve të fundit dhe të paraqesë me të vërtetë një vizion pozitiv, optimist për vendin, dhe një mënyrë për të ecur përpara duke na bërë thirrje të gjithëve të punojmë së bashku", thotë Kate Bedingfield.
Një inaugurim gjatë një pandemie dhe një periudhe trazirash që synon t'i dërgojë një mesazh vendit dhe botës.