SHBA: Demokratët në Kongres pararashtrojnë kërkesat për largimin e Presidentit Trump

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi thotë se do të paraqesë një rezolutë të hënën duke i bërë thirrje Kabinetit të Presidentit Donald Trump që ta heqë atë nga detyra, duke përdorur amendamentin e 25-të.

Në një letër drejtuar kolegëve të saj demokratë, zonja Pelosi tha se nëse nënpresidenti Mike Pence nuk përgjigjet brenda 24 orësh, Dhoma e Përfaqësuesve do të nisë procesin e ngritjes së akuzave për shkarkimin e presidentit.

"Për mbrojtjen e Kushtetutës dhe demokracisë sonë, ne do të veprojmë me urgjencë, sepse ky president përbën një kërcënim për të dyja. Me kalimin e ditëve, tmerri i sulmit të vazhdueshëm ndaj demokracisë sonë të kryer nga ky President është intensifikuar dhe rrjedhimisht edhe nevoja për veprim të menjëhershëm", thuhet në letër.

Shtysa për të shkarkuar zotinTrump nga detyra në ditët e fundit të mandatit të tij, vjen mes të thirrjeve në rritje për ta vënë atë para përgjegjësisë për dhunën e së mërkurës së kaluar ku humbën jetën pesë vetë, ndërsa një turmë mbështetësish të zotit Trump sulmoi policinë.

As zoti Trump as Shtëpia e Bardhë nuk reaguan të dielën ndaj lëvizjes së zonjës Pelosi.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden nuk ka shprehur ndonjë qëndrim të drejtpërdrejtë mbi lëvizjen për procesin e mundshëm të shkarkimit kundër presidentit në largim, i cili ende nuk ka pranuar humbjen e zgjedhjeve, por ka pranuar se një "administratë të re" do të vijë në pushtet në Uashington më 20 janar.

"Pas 10 ditësh, ne do të ecim përpara dhe do të rindërtojmë së bashku", tha zoti Biden të dielën në Twitter.

Një nga zëvendësit kryesorë të zonnjës Pelosi në Kongres, ligjvënësi Jim Clyburn nga Karolina e Jugut, tha për emisionin "Fox News Sunday" se Dhoma mund të votojë për ngritjen e akuzave brenda disa ditësh, edhe pse presidenca katër-vjeçare e zotit Trump përfundon javën e ardhshme me inaugurimin e zotit Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris.

Meqenëse presidenti Trump do të jetë jashtë Shtëpisë së Bardhë së shpejti, ka pak gjasa që Senati të zhvillojë gjyqin për shkarkimin e tij. Senati, i cili në rastin e shkarkimit të presidentëve luan rolin e gjykatësit, mund ta zhvillojë seancën edhe pasi ai të largohet, dhe nëse e shpall fajtor, zoti Trump nuk do të jetë në gjendje më kurrë të shërbejë në një post federal.

Por zoti Clyburn tha se urgjenca për ta mbajtur përgjegjës në një proces të dytë shkarkimi për zotin Trump, është thelbësore.

"Detyra jonë është ta akuzojmë zyrtarisht për ta larguar nga detyra”," tha zoti Clyburn. "Vota jonë është zëri ynë, dhe vota jonë është një zë kundërshtimi."

Anëtarja demokrate e Kongresit Ilhan Omar nga Minesota, një kritike prej kohësh e zotit Trump, tha se ajo do të propozonte dy akuza kundër presidentit të hënën për "abuzim të pushtetit" lidhur me presionin ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në shtetin jugor të Xhorxhias për të përmbysur fitoren e ngushtë të zotit Biden atje, si edhe për "nxitje dhune për orkestrimin e një përpjekjeje për grusht shteti" me sulmet e Kapitolit.

Të paktën 180 anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë nënshkruar përpjekjen për shkarkimin e presidentit, por ky numër nuk e arrin shumicën e nevojshme prej 218 votash të Dhomës me 435 anëtarë dhe asnjë Republikan nuk ka shprehur mbështetjen për të.

Rreth dy të tretat e anëtarëve republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve votuan javën e kaluar kundër pranimit të rezultateve të zgjedhjeve në shtetin lindor të Pensilvanisë, një nga gjashtë shtetet ku zoti Biden fitoi me shumicë të ngushtë për të marrë presidencën.

Zoti Trump dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë reaguar për procesin e shkarkimit të mundshëm. Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Trump ka në plan të vizitojë Teksasin të martën për ta vënë theksin tek puna e administratës së tij për murin kufitar që ndan Shtetet e Bashkuara nga Meksika.

Senatori Republikan Roy Blunt, një Republikan i Misurit dhe bashkë-kryetari i komisionit që planifikon ceremoninë e inaugurimit të zotit Biden, tha për televizionin CBS News se shkarkimi i zotit Trump nga detyra "padyshim që nuk mund të ndodhë nga sot e deri ditën e fundit të tij në detyrë. "

Dy senatorë republikanë, Lisa Murkowski nga Alaska dhe Pat Toomey nga Pensilvania, kanë bërë thirrje që zoti Trump të japë dorëheqjen, por presidenti u ka thënë këshilltarëve se nuk ka në plan ta bëjë një gjë të tillë.

"Mendoj se në këtë pikë, kur kanë mbetur vetëm disa ditë, kjo është rruga më e mirë përpara”, tha zoti Toomey të dielën në CNN, duke bërë thirrje që zoti Trump të largohej vetë nga detyra. "Është diçka që do të kishte efekt të menjëhershëm. Por nuk jam optimist se do të ndodhë."

"Unë nuk mendoj se ka ndonjë dyshim, që sjellja e presidentit pas zgjedhjeve ishte shumë e ndryshme nga sjellja e tij e mëparshme," tha zoti Toomey. "Ai arriti në një nivel çmendurie dhe u përfshi në veprime absolutisht të paimagjinueshme dhe të pafalshme."

Sulmi ndaj Kapitolit gjithashtu ka pasoja financiare për presidentin dhe republikanët e tjerë.

Shoqata amerikane e golfit, PGA njoftoi të dielën vonë se po tërhiqet nga një marrëveshje për ta mbajtur Kampionatin e golfit në 2022, një nga katër garat më të mëdha të golfit, në klubin e golfit Bedminster të zotit Trump në New Jersey.

Në një deklaratë, Presidenti i PGA-së Jim Richerson nuk përmendi zotin Trump për ngjarjet e së mërkurës, por tha se mbajtja e kampionatit në Bedminister do të ishte "e dëmshme për markën PGA të Amerikës."

Marriott International, kompania më e madhe në botë e hoteleve dhe gjigandi i sigurimeve shëndetësore Blue Cross Blue Shield thanë të dielën se do të pezullonin dhurimet për ligjvënësit amerikanë që votuan kundër çertifikimit të fitores së zotit Biden në zgjedhje.

Bankat kryesore, përfshirë JPMorgan dhe Citigroup, kanë njoftuar një pauzë për të gjitha dhurimet politike.