Ron Johnson është punues druri dhe baba shtëpiak. Korrespondentja e Zërit të Amerirkë Lisa Vohra bisedoi me artistin për të mësuar se si e gjen balancën mes përkujdesjes për fëmijët dhe punës për t’i ndihmuar të ndjekin shkollën nga shtëpia dhe projekteve të tij artistike:
Në këtë periudhë pandemie, Ron Johnson e ka ndjerë si kurrë më parë peshën e roleve që luan në familje dhe në jetën e tij.
“Jam baba shtëpiak, por jam edhe artist. Kemi një fëmijë në klasë të parë, një në kopësht,” thotë zoti Johnson.
Zoti Johnson shpjegon se rrjedh nga një familje ushtarake. Si rezultat i të atit që ishte në ushtri, ai ka kaluar fëmijërinë në qytete të ndryshme të botës.
“Edhe vetë kam shërbyer 25 në ushtri. Pasi mbylla karrierën ushtarake, rreth 10 vjet më parë, vendosa të filloj punën me dru. Gradualisht, nga punimet e vogla, fillova të bëj mobilje si dhe vepra arti,” tregon zoti Johnson.
Zoti Johnson gjen kënaqësi si kur bën një objekt të thjeshtë të përdorimit të përditshëm, ashtu edhe kur bën një vepër të komplikuar arti.
“Gjej paqe kur filloj filloj të gdhend. Druri sikur flet kur fillon dhe e punon. Të duket sikur po komunikon me pemën nga është nxjerrë kjo copë druri,” thotë ai.
Zoti Johnson tregon se pandemia e gjeti të papërgatitur, pasi nuk e mendonte që do të ishte gjithë ditën në shtëpi me dy fëmijë që kërkonin vëmendje.
“Nga njëra anë duhet të ndihmoj fëmijët që ndjekin mësimet përmes internetit, po ashtu duhet t’i nxjerr që të luajnë e të argëtohen. Nuk është e lehtë të gjej kohë për veten. Prandaj zgjohem herët që të kryej sa më shumë punë, pastaj në mbrëmje bëj punime, punë krijuese,” thotë zoti Johnson.
Ai tregon se pandemia ka shërbyer edhe si burim frymëzimi për veprat që ka punuar:
“Një nga punimet e fundit quhet “Ëndrrat”. Shumë njerëz kanë përjetuar ëndrra të çuditshme këto kohë. Prandaj krijova një punim që frymëzohet nga këto ëndrra të lindura nga COVID-i. Një tjetër punim simbolizon përpjekjet për të gjetur boshtin e vlerave në këto kohë të paqarta”.