Reagime nga kundërshtarët dhe aleatët e Amerikës për dhunën në Uashington

Flags of NATO member countries are seen at the Alliance headquarters in Brussels, Belgium, Nov. 26, 2019.

Për një moment, bota e harroi pandeminë e koronavirusit.

Kanalet e lajmeve në të gjithë botën u zhvendosën nga njoftimet për spitalet e mbingarkuara ose përhapja e vaksinave dhe vendosja e bllokimeve për t'u përqendruar në Shtetet e Bashkuara dhe sulmet ndaj Kongresit nga qindra protestues.

Kundërshtarët dhe aleatët e Amerikës nxorrën mësime të ndryshme nga trazirat, që ndodhën menjëherë pasi Presidenti Donald Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij në një tubim aty pranë për "të rimarrim vendin në dorë ". Përpjekja dështoi dhe Joe Biden u konfirmua si presidenti i zgjedhur nga Kongresi të enjten herët në mëngjes.

Aleatët ishin të shtangur nga imazhet që transmetoheshin nga Uashingtoni. Armiqtë reaguan me entusiazëm.

Disa qeveri e panë kaosin si një përpjekje serioze në minutën e fundit nga mbështetësit e zotit Trump për të përmbysur zgjedhjet. Të tjerët, ndërsa e konsideruan dhunën si të rëndë dhe zhgënjyese, shprehën besim të vazhdueshëm në qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.

Kryeministri Australian Scott Morrison dënoi ato që ai i përshkroi si "skena shumë shqetësuese" por tha se ai priste me padurim transferimin e pushtetit tek presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur atë në Twitter një "traditë të madhe demokratike amerikane".

Në një video të postuar në Twitter, Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka përballuar një situatë me protesta në rrugë vitin e kaluar, përshkroi sulmin ndaj Kongresit si "jo Amerikë", duke shtuar se ai kishte "besim në forcën e demokracisë në Shtetet e Bashkuara. "

Kjo pikëpamje u nda nga Ministrja e Jashtme e Zelandës së Re Nanaia Mahuta, e cila tha se ngjarjet në Uashington ishin një burim keqardhjeje, por se Zelanda e Re priste tranzicionin paqësor të pushtetit.

"Dhuna nuk ka vend në sabotimin e demokracisë," shkroi ajo në Twitter. "Ne shpresojmë për një tranzicion paqësor të administratës politike, e cila është shenja dalluese e demokracisë."

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjithashtu theksuan se nuk kanë dyshime për përparimin e mëtejshëm të demokracisë amerikane.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, tha ndërsa ishte i tronditur nga ngjarjet në Uashington, ai e përshkroi Kongresin e Sh.B.A si një "tempull të demokracisë".

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi "forcën e institucioneve të Shteteve të Bashkuara dhe demokracisë", duke thënë se ajo mezi priste të punonte me presidentin e ardhshëm, Joe Biden.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se ai ishte "thellësisht i shqetësuar dhe i trishtuar" nga ajo që ishte shpalosur në Uashington, por tha se "demokracia në SHBA duhet të ruhet - dhe ashtu do të ndodhë."

Armiqtë e përdorën ngjarjen për të fituar pikë gjeopolitike. Venezuela, e cila është sanksionuar nga SHBA dhe vendet Evropiane për abuzime të të drejtave të njeriut, tha se Shtetet e Bashkuara "po vuajnë atë që kanë shkaktuar në vendet e tjera me politikën e tyre të agresionit."

Ministria e Jashtme e Kinës megjëherë i etiketoi pro-Trump si "banditë, ekstremistë dhe kriminelë", por i krahasoi ata me aktivistët pro-demokracisë në Hong Kong, të cilët kanë protestuar për shtypjen e fjalës së lirë dhe mospajtimit dhe minimin të demokracisë.

"Disa njerëz në Shtetet e Bashkuara reaguan dhe përdorën fjalë shumë të ndryshme ndaj asaj që ndodhi në Hong Kong në 2019 dhe asaj që po ndodh në SHBA sot. Ky kontrast i mprehtë dhe arsyet prapa tij janë provokuese," tha të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying.

Presidenti i Iranit përmendi sulmet ndaj Kapitolit të SHBA-së si një shembull i dobësisë së demokracisë perëndimore. Duke folur të enjten, Presidenti Hassan Rouhani tha, "Ajo që pamë në Shtetet e Bashkuara tregon mbi të gjitha se sa e brishtë dhe e ekspozuar është demokracia perëndimore."

Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se ishte "trishtuar" nga hyrja e dhunshme në Kapitol, sipas zëdhënësit Stephane Dujarric.

"Në rrethana të tilla, është e rëndësishme që udhëheqësit politikë të theksojnë tek ndjekësit e tyre nevojën për të hequr dorë nga dhuna, si dhe për të respektuar proceset demokratike dhe sundimin e ligjit," tha zoti Dujarric në një deklaratë.

Ministrja e Brendshme britanike Priti Patel tha se komentet e zotit Trump çuan drejtpërdrejt në dhunën që ndodhi në Uashington, duke shtuar se ai "bëri shumë pak për të zbutur" situatën.

Duke folur në Sky News, zonja Patel i përshkroi Shtetet e Bashkuara si një fener i demokracisë por dënoi trazirat e së mërkurës.

"Dikush u qëllua. Njerëzit kanë vdekur. Kjo është e tmerrshme - e tmerrshme përtej fjalëve, sinqerisht, dhe nuk ka asnjë justifikim për një gjë të tillë."

Kryeministri britanik Boris Johnson shkroi në Twitter, "Skena të turpshme në Kongresin e SHBA. Shtetet e Bashkuara mbrojnë demokracinë në të gjithë botën dhe tani është thelbësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit."

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ndihej "e indinjuar dhe gjithashtu e trishtuar" nga ngjarjet. Ajo tha në një takim të konservatorëve gjermanë: "Më vjen shumë keq që Presidenti Trump ende nuk e ka pranuar humbjen, por ka ngritur dyshime në lidhje me zgjedhjet."

Politikanët dhe analistët e tjerë diskutuan mbi ndikimin afatgjatë të trazirave. Disa sugjeruan që ngjarjet e së mërkurës, dhe ato që i paraprinë atyre, treguan rrënjosjen e thellë të demokracisë në Shtetet e Bashkuara.

"Baballarët e Kombit ndërtuan themele të forta", argumentoi Tom Tugendhat, një ligjvënës i lartë Konservator Britanik dhe kryetar i komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit. "Kjo është e qartë nga rezistenca e gjykatësve ndaj presionit politik në më shumë se 60 çështje gjyqësore të cilat Presidenti Trump i ka humbur duke u përpjekur të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Edhe ata gjyqtarë të emëruar nga republikanët, disa nga vetë Trump, e kanë bërë të qartë se dështimi i tij për të paraqitur prova të mashtrimit elektoral i bën pretendimet e tij të pabazuara dhe i kanë hedhur poshtë ato."

Zoti Tugendhat gjithashtu vuri në dukje se si zyrtarët shtetërorë nga Partia Republikane e zotit Trump refuzuan në mënyrë të ngjashme t'i nënshtroheshit presionit për të përmbysur rezultatet.

"Kjo nuk është një demokraci që po shembet," tha ai.

Duke folur për Zërin e Amerikës, ligjvënësja britanike Lisa Nandy, zëdhënëse ndërkombëtare e partisë kryesore të opozitës, asaj Laburistetha: "Në të gjithë Britaninë shumica e njerëzve thjesht shikonin me një ndjenjë të vërtetë shoku dhe tmerri. Amerika shihet në Britani si një nga demokracitë e mëdha të botës. Unë mendoj se emocioni dërrmues që shumica e britanikëve po ndjenin ishte solidariteti."

Ajo tha se ishte i pashmangshëm dëmtimi i reputacionit të Amerikës nga një turmë që sulmon Kongresin dhe se kjo mund të "inkurajojë disa nga ata udhëheqës në të gjithë botën që aktualisht po përpiqen të sulmojnë demokracinë në vendin e tyre". Por shtoi ajo: "Megjithatë, dita e djeshme solli edhe optimizëm. Tingëllon si një gjë e çuditshme ta thuash, por mënyra se si Joe Biden doli dhe bëri thirrje për qetësi dhe foli për sulmin ndaj demokracisë, ishte tregues i udhëheqjes që nuk kemi parë në Shtetet e Bashkuara për disa vjet. "