Sekretarja amerikane e Transportit Elaine Chao tha të enjten se do të japë dorëheqjen, pas sulmit ndaj Kapitolit.
Zonja Chao, gruaja e udhëheqësit të shumicës së senatit Mitch McConnell, tha se dorëheqja e saj do të hynte në fuqi të hënën. Ajo tha se sulmi "më ka shqetësuar thellë në një mënyrë që unë thjesht nuk mund ta injoroj".
Ish Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaney tha se ai do të largohet nga posti i tij diplomatik, duke iu shtuar listës në rritje të dorëheqjeve nga administrata Trump pas ngjarjeve të së mërkurës në Kapitol.
Zoti Mulvaney njoftoi të enjten se po jepte dorëheqjen si i dërguar i posaçëm në Irlandën e Veriut dhe tha se zyrtarë të tjerë të administratës kanë shqyrtuar mundësinë për dorëheqje.
"Nuk mund ta bëj. Nuk mund të qëndroj”, tha Mulvaney për kanalin CNBC. "Ata që zgjedhin të qëndrojnë, dhe unë kam biseduar me disa prej tyre, po zgjedhin të qëndrojnë sepse janë të shqetësuar se presidenti mund të sjellë dikë më të keq".
Zoti Mulvaney tha se të mërkurën mbrëma ai informoi Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për dorëheqjen.
Menjëherë pas kësaj, zëvendës ndihmësi i sekretarit të Departamentit të Tregtisë për inteligjencën dhe sigurinë, John Costello, tha se dhuna e shtyu atë të dorëhiqej.
"Ngjarjet e djeshme ishin një sulm i pashembullt në zemrën e demokracisë sonë - të nxitur nga një President në detyrë", tha zoti Costello në Twitter. “Presidenti prej një kohëetë gjatë nuk e ka përfillur dhe e ka minimizuar sundimin e ligjit dhe Kushtetutën. Dje, kjo arriti kulmin me një kryengritje të dhunshme kundër Kongresit,” u shpreh ai.
Një nga strategët kryesorë të politikës për Kinën, Matt Pottinger, njoftoi dorëheqjen të mërkurën. Një zyrtar i lartë i administratës tha se Pottinger dha dorëheqjen në përgjigje të reagimit të zotit Trump ndaj turmës së protestuesve në Kapitol.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, shefi i zotit Pottinger, i kërkoi atij të qëndronte në pozicionin që ka për të lehtësuar kalimin drejt administratës së re të zotit Biden, por zyrtari tha se Pottinger "i ka përfunduar ato detyra".
Stephanie Grisham, shefja e kabinetit të zonjës së Parë Melania Trump, e cila më parë ka qenë sekretare shtypi e Shtëpisë së Bardhë, ishte zyrtarja e parë e administratës që njoftoi dorëheqjen të m mërkurën. Zëvendës sekretarja e shtypit Sarah Matthews dha dorëheqjen menjëherë pas kësaj, e ndjekur nga sekretari për çështjet sociale të Shtëpisë së Bardhë Rickie Niceta, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Numri në rritje i dorëheqjeve dhe kritikave nga disa prej aleatëve më të afërt politikë të zotit Trump në lidhje me sjelljen e tij përbën një qortim të qartë ndaj presidentit. Sipas burimeve, në ditët në vijim mund të ketë dorëheqje të tjera.