Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon tha të martën se për shkak të masave të reja kufizuese për frenimin e përhapjes së Covid-19, Presidenti amerikan Donald Trump nuk do të lejohej të luante golf në javët e ardhshme.
Në konferencën e saj të rregullt të shtypit për pandeminë e koronavirusit, zonja Sturgeon u pyet rreth njoftimeve se Presidenti Trump po planifikonte të udhëtonte në vendpushimin e tij të golfit, në Turnberry të Skocisë më 20 janar, ditën kur do të inaugurohet Presidenti i zgjedhur Joe Biden.
Zonja Sturgeon njoftoi një bllokim të plotë në të gjithë Skocinë të hënën pas një rritjeje të rasteve me COVID-19 kohët e fundit. Ajo tha se masat e reja përfshijnë ndalimin e udhëtimeve.
"Ne nuk po lejojmë që njerëzit të vijnë në Skoci pa një qëllim thelbësor tani, dhe kjo do të vlente për atë (Presidentin Trump) ashtu siç vlen për këdo tjetër. Ardhja për të luajtur golf nuk është diçka që unë do ta konsideroja si një qëllim thelbësor", tha ajo.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë pranuar të komentojnë se çfarë do të bëjë zoti Trump në ditën e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Por gazeta skoceze, “Sunday Post” raportoi këtë javë se zyrtarët e aeroportit në Glasgou janë njoftuar se do të prisnin arritjen e një aeroplani ushtarak amerikan të përdorur më parë nga Presidenti Trump.
Në të njejtin njoftim thuhet se avionët vëzhgues të ushtrisë amerikane janë parë duke qarkulluar rreth fushës së golfit në javët e fundit.
Nicola Sturgeon, një kritike e Presidentit Trump, u tha gazetarëve se nuk dinte asgjë për planet e udhëtimit të zotit Trump por shtoi se "Unë shpresoj dhe pres ashtu si gjithë të tjerët, ndoshta jo të gjithë, që plani i parë dhe i menjëhershëm i udhëtimit të tij duhet të jetë dalja nga Shtëpia e Bardhë. Përveç kësaj, nuk di asgjë tjetër”.