Këtë vit mbushen dhjetë vjet që nga fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por ende nuk shihet fundi i tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Të dyja vendet nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump nënshkruan disa zotime për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërsa aspektet politike i mbeten Brukselit. Por, vëzhguesit thonë se pa një përkushtim amerikan vështirë që Brukseli të jetë në gjendje të sigurojë një përmbyllje të procesit të bisedimeve.
Analistët në Kosovë thonë se administrata e presidentit të zgjedhur Joe Biden që pritet të inaugurohet më 20 janar, mund të ketë qasje më të drejtpeshuar dhe të strukturuar kundruall Kosovës.
Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike në një bisedë për Zërin e Amerikës thotë se zoti Biden ka njohuri të thella mbi rajonin dhe rrjedhimisht edhe një qasje ndryshe ndaj tij.
“Pasi që edhe vet zoti Biden dhe ekipi i tij e kanë proklamuar një lloj dokumenti, një lloj strategjie nëse mund ta quajmë ashtu, ku synohet të ketë një qasje më të strukturuar të administratës Biden karshi Kosovës, në këtë drejtim mund të themi se zoti Biden nuk do ta anashkalojë BE-në por do të mundohet të shtyj përpara qasjen amerikane në dialogun Kosovë-Serbi dhe çka është më pozitivja në këtë drejtim është se ai e ka bërë të qartë se zgjidhja përfundimtare dialogut Kosovë-Serbi duhet të bëhet me një marrëveshje e cila përfshinë njohjen reciproke në mes dy vendeve dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të cenohet”, tha zoti Fetahu.
Por, analisti Agon Maliqi thotë se në Kosovë duhet të mbizotërojë një frymë më realiste për pritjet nga administrata e re amerikane.
“Administrata Biden ka një varg jashtëzakonisht të madh të prioriteteve në politikën e jashtme dhe padyshim Kosova nuk figuron lartë si interes strategjik mirëpo emërimet e niveleve më të ulta shumë çka do të varet nga ta, padyshim që do të mundohen t’ia japin një shtysë procesit të dialogut dhe në të njejtën kohë ajo se çka pres dhe do të jetë më ndryshe është se ndoshta do të ketë më shumë mirëkutpim për pozicionin e Kosovës por jo detyrimisht edhe mundësi për të vepruar mbi to”, tha zoti Maliqi.
Analisti Maliqi thotë se administrata e re amerikane do të jetë edhe më e zëshme dhe mbështetëse e projektit të Shengenit Ballkanik dhe për këtë arsye qeveria e re e Kosovës duhet të tejkalojë qasjen refuzuese ndaj çdo projekti rajonal.
“Mund të jetë problem për secilën qeveri të re të Kosovës përqafimi i një ideje të tillë dhe nëse fokusi përqendrohet se Kosova mund diçka të përfitoj dhe jo te ajo se çka mund të përfitoj Serbia atëherë gjithmonë liderët mund ta krijojnë edhe klimën e përshtatshme për idenë sepse siç thash nga kjo ide padyshim se mund të sigurohet një farë forme zhbllokimi ndërkombëtar i Kosovës sepse aty Kosova nuk futet pa njohje dhe nuk futet në gjendjen që është tani dhe nuk futet duke qenë palë jo e barabartë. Kjo për momentin është instrumenti i vetëm i presionit mbi Serbinë sepse Serbia është pala me interesin më të madh rreth kësaj ideje por në të njejtën kohë edhe shqiptarët në rajon duhet ta shohin përfitimet e heqjes së kufijve, konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe ta shfrytëzojnë këtë ide në vend se ngujohemi në barrikada duke thënë jo dhe duke përjshtuar vetën për të ndikuar dhe për ta përdorur idenë”, thotë zoti Maliqi.
Analistët thonë se Kosova duhet të ketë një qëndrim kundrejt bisedimeve të ardhshme me Serbinë dhe të jetë më bashkëpunuese përballë kërkesave të ndërkombëtarëve.
“Kosova ka dy tri vjet që ka pas lider kaotik, do të thotë ose përçarje të thella të brendshme. Shpresojmë që qeveria e re të jetë kohezive dhe të ketë konsensus rreth kësaj teme dhe të shkoj me agjendë konkrete, mos të pres që Kosova të vihet para një akti të kryer rajonal, por të shkoj me agjendë konkrete dhe të përfshihet, të mos e përjashtoj vetën nga gjithçka, të jetë konstruktive, të mos jetë palë bllokuese”, tha zoti Maliqi.
“Kosova duhet të ketë një qasje të strukturuar, plane, objektiva dhe ta qartësoj pozicionin e saj të saktë në dialogun me Serbinë dhe të mos bie pre e lojërave të politikave të brendshme, ku edhe ndaj administratës amerikane mund të kemi dy apo më shumë qasje brenda koalicionit qeverisës apo brenda partive politike. Prandaj nëse ka pjekuri politike edhe një strategji të mirëfilltë besoj se Kosova mund të nxjerrë më të mirën nga kjo administratë e zotit Biden dhe të paktën ne duhet t’u ofrohemi atyre me propozime konkrete”, tha zoti Fetahu.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që rifilluan vitin që lamë pas, pritet të vazhdojnë në pranverë meqë aktualisht Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Sipas vëzhguesve kjo periudhë mund të jetë edhe kohë e ripërtëritjes së marrëdhënieve transatlantike që vlerësohen shumë të rëndësishme edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.