Ka kaluar mbi një vit që kur personi i parë në botë u infektua me koronavirusin. Të paktën 1.7 milion njerëz kanë humbur jetën nga virusi në të gjithë botën që nga ajo kohë. Një investigim i agjensisë së lajmeve Associated Press tregon se qeveria kineze po kontrollon rreptësisht të gjitha kërkimet për origjinën e virusit, ndërsa promovon teoritë e skajshme se pandemia e ka origjinën diku tjetër.
Your browser doesn’t support HTML5
Qeveria kineze po monitoron gjetjet e shkencëtarëve dhe ka urdhëruar që botimi i çdo pune kërkimore të miratohet së pari nga një strukturë e re e menaxhuar nga kabineti i Kinës nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Presidentit Xi Jinping, sipas dokumenteve të brendshme të marra nga Associated Press.
Nga Tajlanda në Brazil, shkencëtarët në të gjithë botën kanë kërkuar origjinën e virusit tek burimi i tij i mundshëm: lakuriqët e natës.
Gati dy kilometra larg Wuhan-it, lakuriqët e natës banojnë në një labirint shpellash nëntokësore gëlqerore në provincën Yunnan në Kinën jugore. Fshatarët thanë se nën drejtimin e një murgu budist shpella ishte përdorur si një vend i shenjtë.
Kontakte të tilla mes lakuriqëve të natës dhe njerëzve që luten në shpella, në gjueti apo në miniera - i alarmon shkencëtarët. Kodi gjenetik i koronavirusit është shumë i ngjashëm me koronaviruset e lakuriqëve dhe shkencëtarët dyshojnë se COVID-19 kaloi tek njerëzit nga një lakuriq nate ose nëpërmjet një kafshe ndërmjetëse.
Jonna Mazet, është profesore e Epidemiologjisë dhe Ekologjisë së Sëmundjeve në Universitetin e Kalifornisë, Davis.
“Bartësi më i mundshëm evolucionar i koronavirusit SARS 2 është një lakuriq i vogël. Këtyre lakuriqëve të natës u pëlqen të jetojnë në shpella, por ata jetojnë në të gjithë pellgun e Kinës dhe në Azinë Juglindore", thotë zonja Mazet.
Sot, zona në Yunnan vëzhgohet nga afër. Agjentët e sigurisë ndoqën ekipin e Associated Press në tre vende dhe ua ndaluan gazetarëve të vizitonin shpellën, ku studiuesit identifikuan lakuriqët e natës përgjegjës për SARS-in.
Fshatarët krijuan një bllokadë në rrugë.
"Politizimi dhe shtetëzimi i këtij problemi shëndetësor ka ngritur pengesa të mëdha për këtë bashkëpunim", thotë zonja Mazet.
Gjuetia e fshehtë për origjinën e COVID-19 në Kinë tregon se si qeveria është përpjekur të marrë kontrollin.
Kërkimi filloi në tregun Huanan të ushqimeve të detit në Wuhan, një kompleks i gjerë, ku u zbuluan shumë nga rastet e para të koronavirusit tek njeriu.
Në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, shitësi Jiang Dafa vuri re se njerëzit po sëmureshin.
"Nuk thanë asgjë. E mbyllën natën pa njoftuar. Nuk mund të futeshim brenda; nuk mund të merrnim sendet tona. Pastaj të gjitha u dogjën. Të gjitha gjërat në kioska. Qeveria e mbylli të gjithë qytetin", thotë shitësi Jiang Dafa.
Zonja Mazet thotë se mungesa e bashkëpunimit midis shkencëtarëve kinezë dhe atyre amerikanë ishte një zhgënjim.
Ajo tha se të kuptuarit e ndërveprimit mes lakuriqëve të natës dhe njerëzve është thelbësor për të shmangur një valë tjetër të përhapjes.
"Nëse duam që kjo të mos ndodhë më, duhet të kuptojmë marrëdhënien virus-pacient-mjedis në mënyrë që të ndërmarrim hapa për të parandaluar që këto gjëra të ndodhin përsëri", thotë zonja Mazet.