Trump, presion zyrtarit të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve

Presidenti Donald Trump i bëri presion një zyrtari të lartë të shtetit Xhorxhia, duke i kërkuar të gjejë vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit në këtë shtet, ku ai humbi.

Gazeta “Washington Post” arriti të sigurojë një regjistrim audio të një bisede telefonike të zhvilluar ditën e shtunë dhe që zgjati një orë mes zotit Trump dhe sekretarit të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, gjithashtu republikan.

Telefonata shënon një tjetër përpjekje të zotit Trump në vazhdën e pretendimeve të tij mbi manipulimin në zgjedhje.

Në bisedë, Presidenti Trump paralelisht e mburrte, i lutej dhe e kërcënonte zotin Raffensperger me pasoja të paqarta penale, në përpjekje për të zhbërë humbjen në këtë shtet ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Gjatë telefonatës, zoti Raffensperger dhe këshilltari juridik i zyrës së tij i hodhën poshtë pohimet e zotit Trump.

Zoti Raffensperger i tha presidentit se ai po mbështeste teori konspirative tashmë të zhvlerësuara, ndaj atyre që ai i cilësoi si zgjedhje të lira e të drejta.

"Njerëzit e Xhorxhias janë të zemëruar, amerikanët janë të zemëruar", tha zoti Trump, sipas audios së regjistruar, publikuar në internet nga gazeta Washington Post. "Dhe nuk ka asgjë të keqe të thuash, e di çfarë….. i rillogaritëm rezultatet".

"Pra ajo që dua të bëj, është thjesht të gjej 11,780 vota, që është një më shumë se sa kemi. Sepse ne e fituam shtetin", shprehej zoti Trump gjatë telefonatës, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë mundësi që ai të kishte humbur garën në këtë shtet.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Zyra e zotit Raffensperger nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente. Po kështu edhe zyra e tranzicionit e zotit Biden nuk ka bërë deri tani asnjë koment mbi këtë çështje.

Xhorxhia është një nga disa shtetet kyçe, në të cilin zoti Trump humbi gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj zotit Biden. Por që prej asaj kohe zoti Trump ka bërë akuza të pabazuara për manipulim me zgjedhjet dhe ka kërkuar të përmbysë rezultatin.