Departamenti i Drejtësisë i ka kërkuar një gjykatësi federal të hedhë poshtë padinë e paraqitur nga një republikan i Dhomës së Përfaqësuesve që kërkon t'i japë Nënpresidentit Mike Pence autoritetin për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale që i fitoi demokrati Joe Biden, kur Kongresi të numërojë zyrtarisht votat e Kolegjit Zgjedhor javën e ardhshme.
Zoti Pence, si president i Senatit, do të mbikëqyrë seancën të mërkurën dhe do të deklarojë fituesin e garës për Shtëpinë e Bardhë.
Kolegji Zgjedhor këtë muaj çimentoi fitoren e zotit Biden me 306 vota përballë 232 për Presidentin Trump, pasi dështuan padi të shumta të kampit zgjedhor të presidentit për të sfiduar rezultatin.
Padia e radhës veçon si palë mbrojtëse në këtë proces zotin Pence, i cili ka një rol më së shumti ceremonial në procedurat e javës së ardhshme dhe i kërkon gjykatës të hedhë poshtë ligjin e vitit 1887 që specifikon se si Kongresi do të trajtojë numërimin e votave.
Në padi thuhet se nënpresidenti "mund të ushtrojë autoritetin ekskluziv dhe interpretimin që i takon vetëm atij për të identifikuar se cilat vota elektorale duhet të numërohen për një shtet të caktuar".
Departamenti i Drejtësisë po përfaqëson zotin Pence në një çështje gjyqësore që synon të gjejë një mënyrë për të mbajtur eprorin e tij, Presidentin Donald Trump, në pushtet.
Në një proces gjyqësor në Teksas të mërkurën, departamenti tha se ligjvënësi republikan Louie Gohmert dhe një grup zgjedhësish republikanë nga Arizona "kanë ngritur padi ndaj palës së gabuar” nëse ata që kanë ngritur padi kanë realisht “një pretendim të vlefshëm gjyqësor”.
Departamenti thotë se padia hedh në gjyq procedurat me traditë të gjatë, të specifikuara edhe në ligj dhe "jo ndonjë veprim të ndërmarrë nga Nënpresidenti Pence," prandaj ai nuk ka përse të jetë objekt i këtij procesi.
"Një padi që kërkon të deklarojë se nënpresidenti ka autoritetin për të vendosur si numërohen votat, e ngritur kundër nënpresidentit është në vetvete një kontradiktë ligjore," argumenton departamenti.
Zoti Trump, presidenti i parë që nuk siguroi rizgjedhjen për një mandat të dytë në afro 30 vjet, ka ngritur pretendime për manipulim votash si argument për humbjen. Por një numër zyrtarësh jopartiakë, demokratë si dhe republikanë kanë deklaruar se nuk ka pasur mashtrime apo probleme në votimet e nëntorit që do të kishin shtrembëruar ose ndryshuar rezultatin.
Edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka thënë se nuk shihte asnjë arsye për të emëruar një prokuror të posaçëm për të hetuar nëse ka prova reale për pretendimet e presidentit në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Barr dha dorëheqjen nga posti javën e kaluar.