Dhoma e Përfaqësuesve votoi të hënën për të tejkaluar veton e Presidentit Trump ndaj projektligjit prej 740 miliardë dollarësh për mbrojtjen, një votë që pasqyron ndarje të thella në Partinë Republikane në javët e fundit të Presidencës Trump.
Me 322 vota pro dhe 87 kundër, ku përfshihen 109 republikanë që votuan për të rrëzuar veton e presidentit, fati i kësaj mase mbetet në dorë të Senatit. Nëse Senati ndjek shembullin e Dhomës së Përfaqësuesve, do të jetë hera e parë që rrëzohet vetoja e Presidentit Trump në katër vjet të mandatit të tij.
Presidenti, i cili është i revoltuar me disa republikanë që kanë përgëzuar si fitues të zgjedhjeve demokratin Joe Biden, i vuri veton projektligjit të mërkurën.
Presidenti Trump tha se bllokoi projektligjin sepse donte të anulonte mbrojtjen nga paditë ligjore që gëzojnë kompanitë e medias sociale. Po ashtu presidenti kundërshton klauzolën për të ndryshuar emrat e bazave ushtarake që kujtojnë gjeneralë që luftuan në emër të Konfederatës gjatë Luftës Civile.
Projektligji, i cili përfshin një numër klauzolash për politikat e mbrojtjes dhe një rritje rroge për trupat amerikane, është miratuar pa probleme çdo vit që nga 1961.
Projektligji u miratua këtë radhë me vota të mjaftueshme (mbi 2/3 e anëtarëve të Dhomave) që e bënte të pamundur për presidentin t’i vinte veton. Por presidenti gjithsesi i vuri veton duke bërë që projektligji të kthehej në Kongres për një votim për të kapërcyer veton e presidentit.