Ndërsa afron fundi i vitit, Rusia po merr një rol të ri, atë të paqeruajtësit në konfliktin 10 vjeçar mes ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, lidhur me enklavën e diskutueshme të Nagorno Karabakut. Siç njofton nga Moska korrespondenti i Zërit të Amerikës, Charles Maynes, ka të ngjarë që Rusia të mbetet për momentin fuqia kryesore e ndikimit në rajonin e Kaukazit të Jugut.
Në vetëm gjashtë javë luftime, Azerbajxhani vendosi në pozitë të vështirë forcat etnike të Armenisë në Nagorno Karabak, të mbështetura nga një arsenal dronësh i teknologjisë së lartë dhe pajisje ushtarake që ndryshuan mënyrën e luftimit në Kaukazin e Jugut.
“Gjatë 20 viteve të fundit buxheti ushtarak i Azerbajxhanit është trefishuar në krahasim me atë të Armenisë. Një pjesë e madhe e armëve janë blerë me këto para. Armë të blera jo vetëm nga Rusia, por edhe Izraeli dhe Turqia”, thotë Alexander Golts, analist.
Një marrëveshje e paqes e ndërmjetësuar nga Presidenti rus Vladimis Putin pasqyroi ndryshimet në dinamikën e forcave dhe rolin e Turqisë në veçanti për palën e Azerbajxhanit.
Marrëveshja e mbështetur nga Rusia, për aleatin e vogël të Moskës, Armeninë, nënkupton humbje të territoreve në Nagorno Karabak.
Ky rezultat nxiti festimet për fitore në Azerbajxhan dhe një krizë qeveritare në kryeqytetin e Armenisë.
“Është e qartë se ky ekip ka diskredituar veten. Unë mendoj se kjo qeveri ëndërron të japë dorëheqje, sepse këta njerëz e kanë kuptuar se nuk mund të ecin lirshëm rrugëve të Jerevanit”, thotë Karine Gevorgyan, analiste.
Sipas kushteve të armëpushimit, dy mijë paqeruajtës rusë do të vendosen në Nagorno-Karabak për 5 vitet e ardhshme, me qëllim të pengimit të përparimeve të mëtejshme të Azerbajxhanit dhe mbrojtjen e armenëve që zgjedhin të qëndrojnë.
"Sipas marrëveshjes, misioni mund të zgjatet. Unë mendoj se opsioni më i mirë është ngrirja afatgjate e konfliktit ashtu siç ndodhi në luftimet mbi Qipron”, thotë Alexander Golts, analist.
Me fjalë të tjera, një konflikt i ngrirë që ripërcakton kufijtë.
Është një situatë që siguron ndikimin rus mbi Kaukazin e Jugut ndërsa e ardhmja e Nagorno Karabakut është vështirë të parashikohet.