Kur Britanikët votuan në vitin 2016 për të dalë nga Bashkimi Evropian pas 47 vitesh anëtarësim, ata që mbështesnin atë që u bë e njohur si Brexit thanë se arritja e një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në do të ishte "një nga më të lehtat për t’u arritur në historinë njerëzore."
Por nuk rezultoi kështu.
Megjithatë të enjten, pas katër vjet bisedimesh të shoqëruara nga përplasje, debate dhe akuza për presion, zhgënjim dhe mosbesim, pati një lajm të mirë për festa pasi Londra dhe Brukseli përfundimisht arritën një marrëveshje që do të kufizojë dëmin ekonomik që si britanikët, edhe evropianët do të pesonin nëse nuk do të kishte marrëveshje.
Të dyja palët bënë kompromis dhe hoqën dorë nga 'vijat e kuqe' për të arritur marrëveshjen. Britania doli zyrtarisht nga BE-ja janarin e kaluar por pati një periudhë tranzicioni njëvjeçare që lejonte tregtinë e lirë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve të vazhdonin pa ndërprerje deri më 31 dhjetor.
Ata që mbështesnin daljen menjëherë dolën me shprehjes "Gëzuar Brexmas" dhe vlerësuan Kryeministrin Boris Johnson për mbajtjen e premtimit. "Lufta ka mbaruar", tha Nigel Farage, udhëheqësi i atyre që mbështesin Brexit.
Ai shtoi: "Nuk është e përkryer, por gjithsesi është përparim”, tha ai.
Paundi u forcua në mënyrë modeste pas lajmit të marrëveshjes, por më pas ra në nivelin e mëparshëm.
Zoti Johnson e quajti marrëveshjen, me një vlerë të përgjithshme prej 900 miliardë dollarësh, si "marrëveshjen më të madhe tregëtare ndonjëherë" me Bashkimin Evropian, duke thënë se Britania kishte rimarrë kontrollin e ligjeve, kufijve dhe ujrave të veta të peshkimit.
"Arritëm marrëveshjen më të madhe me vlerë 660 miliardë paund në vit, një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregëtisë së lirë të ngjashme me atë të Kanadasë, mes Britanisë dhe BE-së”, tha ai në një konferencë për shtyp.
"Gjithçka që iu premtua publikut britanik gjatë referendumit të vitit 2016 dhe në zgjedhjet e përgjithshme vitin e kaluar, arrihet me këtë marrëveshje," tha një zyrtar i qeverisë britanike.
Ai shtoi se marrëveshja do të "mbrojë vendet e punës në të gjithë vendin" duke lejuar që mallrat të shiten "pa tarifa dhe kuota" në BE.
Presidentja e Komisionit Evropian tha të enjten se më në fund ishte arritur një marrëveshje për Brexit-in.
"Më në fund arritëm një marrëveshje. Ishte një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë, por si rezultat kemi një marrëveshje," tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen."Është e drejtë, është një marrëveshje e ekuilibruar dhe është zgjidhja e duhur dhe e përgjegjshme për të dyja palët."
Ajo tha se BE-ja dhe Britania gjithashtu do të bashkëpunojnë kur bëhet fjalë për veprimet klimatike dhe sigurinë.
Michel Barnier, negociatori kryesor i BE-së për Brexit, tha se e sotmja është një "ditë lehtësimi", por me një ndjesi trishtimi.
Politikanët britanikë që kundërshtuan Brexit-in thanë se ishin lehtësuar që ishte arritur një marrëveshje, por paralajmëruan se Britania do të humbte shumë nga dalja nga blloku.
Ministrja e Parë i Skocisë, Nicola Sturgeon, shkroi në Twitter: "Ia vlen të kujtojmë se Brexit po ndodh kundër vullnetit të Skocisë. Dhe nuk ka asnjë marrëveshje që do të kompensojë ndonjëherë atë që Brexit na mori. Është koha të projektojmë të ardhmen tonë si një vend i pavarur, evropian. "
Disa mbështetës së Brexit-it u ankuan se marrëveshja i mban të lidhura ngushtë Britaninë me BE-në.
Edhe momentet e fundit të negociatave ishin të tensionuara dhe ato pothuajse dështuan.
Për ditë të tëra palët kishin lënë të kuptohej se ishin në prag të përparimit. Dhe duke filluar nga e shtuna, diplomatët u thanë gazetarëve se një marrëveshje ishte "e pashmangshme". Njoftimi ishte planifikuar për të mërkurën, u shty për të enjten në mëngjes por pastaj diplomatët thane se duheshin bërë disa ndryshime në marrëveshjen me 2,000 faqe.
Vonesa në njoftimin e një marrëveshjeje në 24 orët e fundit ishte kryesisht për shkak të kuotave të peshkimit kur rezultoi se Komisioni Evropian kishte përdorur shifra të vjetra për të llogaritur reduktimin e sasisë së rezervave të peshkut që peshkatarët e BE-së do të lejohet të kapin në ujërat britanike si pjesë e marrëveshjes tregtare.
Marrëveshja u jep eksportuesve britanikë qasje "me zero tarifa dhe zero kuota" në Tregun e Njësuar të Evropës. Çdo mosmarrëveshje në të ardhmen midis Britanisë dhe BE nuk do të gjykohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, një pikë kritike për përkrahësit e Brexit-it, të cilët thane se nëse kjo gjykatë vendoste për marrëveshjen, do të përbënte një shkelja të sovranitetit britanik.
Por firmat britanike do të kenë të drejta të kufizuara për të shitur shërbime në BE pas janarit, duke prekur sektorët bankarë dhe të sigurimeve. Industritë e shërbimeve zënë 80 përqind të prodhimit të përgjithshëm ekonomik britanik. Disa banka ndërkombëtare ka të ngjarë të zhvendosin më shumë operacione të tyre në vendet e BE-së për shkak të marrëveshjes, thonë analistët.
Duke filluar nga janari do të ketë gjithashtu kontrolle shtesë doganore mbi ushqimin, kimikatet dhe ilaçet e eksportuara në BE nga Britania, të cilat do të shtojnë burokracinë dhe koston për firmat britanike, duke dobësuar konkurrencën e tyre të çmimeve, thonë analistët.
Për peshkimin në ujërat britanike, Britania bëri lëshime të mëdha duke lejuar industrinë e peshkimit të BE-së të heqë dorë vetëm nga 25 për qind të kuotës së saj aktuale, një ndryshim që do të bëhet gradualisht me faza gjatë pesë viteve e gjysmë të ardhshme.
Edhe pse politikanët morën frymë të lehtësuar në të dyja anët e Kanalit Anglez, "marrëveshja është larg marrëdhënies së thellë dhe ambicioze" që të dyja palët thanë se po synonin të realizonin menjëherë pas referendumit për Brexit në vitin 2016, sipas Sally Jones , një eksperte e tregëtisë tar në Ernst & Young, një firmë konsulence e shërbimeve profesionale anglo-amerikane.
Marrëveshja jashtëzakonisht komplekse tani do të vlerësohet nga juristët dhe bizneset. Marrëveshja është mbi 1.000 faqe, plus qindra faqe shtesash që mbulojnë rregullimet e ardhshme për tregti, siguri dhe peshkim, si dhe bashkëpunim shkencor dhe shtrirjen rregullatore.
Pikat më të mëdha të pazgjidhura gjatë negociatave gjatë viteve të fundit midis Londrës dhe Brukselit kanë qenë të lidhura me koordinimin e rregullave dhe peshkimin. Të dyja palët ishin përplasur për normat e përbashkëta rregullatore, standardet e konkurrencës dhe sigurisë, të drejtat e punëtorëve dhe ligjet e mjedisit dhe kufizimet për subvencionet shtetërore për bizneset private.
Evropianët ishin të vendosur që të garantonin që firmat britanike të mos siguronin një avantazh të padrejtë konkurrues ndaj rivalëve të BE-së. Standardet më të ulëta dhe rregulloret e dobësuara nënkuptojnë kosto më të ulëta dhe çmime më të ulta për mallrat.
Parlamenti Britanik do të duhet të ratifikojë marrëveshjen, por ai tashmë ka ndërprerë punimet për pushimet e Krishtlindjes. Ligjvënësit britanikë ka të ngjarë të thirren më 30 dhjetor për të miratuar marrëveshjen e minutës së fundit.
Një zyrtar i BE-së i tha agjencisë së lajmeve Reuters se një zbatim i përkohshëm i marrëveshjes do të duhet të miratohet nga vendet anëtare sepse nuk ka kohë të mjaftueshme për Parlamentin e BE-së të ratifikojë marrëveshjen përpara afatit të fundit të 31 dhjetorit, kur periudha e tranzicionit e Britanisë përfundon.