Influenca e Kinës në Mesdhe

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian thonë se blloku duhet të investojë më shumë në vendet e Mesdheut për të qenë në gjendje të konkurrojë me Kinën. Projekti i Kinës, e ashtuquajtura “Nisma e Brezit dhe Rrugës” ka bërë që Pekini të financojë ose blejë pjesë të rëndësishme të infrastrukturës në rajon.


Porti i Barcelonës dikur ishte në pronësi të kompanive spanjolle, por aty kanë hyrë tani kompani gjigante ndërkombëtare.

Një pjesë e këtij porti është tani në pronësi të kompanisë kineze ‘Hutchison Ports’ që operon një terminal të ri gjysmë të automatizuar.


"Në 25 vitet e fundit, shumë kompani janë blerë nga kompani ndërkombëtare, qofshin këto kineze, turke, ruse apo amerikane", thotë Calatina Grimalt përfaqësuese e Portit të Barcelonës.



Njëzet e pesë vjet më parë, Bashkimi Evropian ndihmoi në ngritjen e Unionit të Mesdheut për të rritur lidhjet e tij ekonomike dhe politike në të gjithë këtë rajon.

Por grupi - i përbërë nga 42 shtete anëtare - po përballet me konkurrencën nga jashtë, thotë shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell.


“Më duhet të them se situata në rajonin tonë jugor, në disa aspekte, është përkeqësuar. Ne nuk kemi arritur disa nga objektivat tona dhe sfidat janë rritur më shpejt sesa përgjigjja jonë kolektive ndaj tyre”.



Zoti Borrell thotë se tregtia me vendet e Afrikës së Veriut ka potencialin të jetë katër herë më e madhe nga sa është sot. Por mungesa e koordinimit mes vendeve anëtare ka krijuar një hapësirë për fuqi si Kina dhe Rusia për të zgjeruar ndikimin e tyre në të gjithë Afrikën e Veriut dhe Evropën Jugore.


"Duhet të pranojmë se nuk kemi burime të mjaftueshme që vijnë nga buxhetet kombëtare. Ne kemi nevojë absolute për të bërë investime private", tha zoti Borrell.


Nisma prej miliarda dollarësh e Pekinit për të lidhur Azinë, Afrikën dhe Evropën ka bërë që Kina të vendosë linja transporti në Mesdhe, së bashku me linjat nënujore dhe rrjetet 5G të telefonisë. Infrastruktura dixhitale do të diktojë konkurrencën për mbizotërimin teknologjik në shekullin e 21-të - dhe BE-ja do të ketë nevojë për më shumë fuqi financiare për të konkurruar, thotë analisti Eduard Martín Lineros.


"Në rastin e Evropës ne kemi nevojë për bashkëpunim midis sektorit publik dhe privat për të bërë këto investime, sepse nëse nuk i bëjmë, do të jetë shumë e vështirë për të zhvilluar një rrjet rreth Evropës".

Kina ka tani investime në mbi 12 porte evropiane. Investimet kineze i kanë modernizuar këto objekte - por kanë shkaktuar gjithashtu debat mbi aftësinë e Evropës për të ndikuar në interesat strategjike shumë pranë oborrit të saj.