Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se Ministria Greke e Emigracionit dhe Azilit ka zgjatur vlefshmërinë e lejeve të qëndrimit dhe vërtetimeve të aplikimit, për shtetasit e vendeve të treta.
Dokumentet e lëshuara nga shteti helen, të cilat kanë skaduar gjatë periudhës 1 janar 2020 – 31 korrik 2020, do iu zgjatet vlefshmëria deri më 31 mars 2021. Ndërsa për dokumentet që janë lëshuar nga 1 gusht 2020 dhe me datë skadence deri 31 mars 2021, u zgjatet automatikisht vlefshmëria me 8 muaj nga data e tyre fillestare e skadimit.
Hyrja në fuqi e lejeve të qëndrimit që do të lëshohen fillon ditën pasardhëse nga data e skadimit të lejes së qëndrimit të listuar. Kjo nuk vlen për lejet e qëndrimit dhe vërtetimet e aplikimit që janë rinovuar tashmë për një datë të mëvonshme,”-thuhet në njoftimin e Ministrisë. Vendimi i autoriteteve greke të emigracionit vjen në kuadër të masave për pandeminë e Covid 19 dhe lehtëson pozitën e disa mijëra emigranëtve shqiptarë që u kishin përfunduar afatet e lejeve të qëndrimit.
Ripërtëritja e tyre ishte vështirësuar prej mbylljes së qendrave të shërbimit të emigrantëve por edhe vështirësive për mjaft emigrant të pajisjes me pasaporta pranë selive diplomatike shqiptare në Greqi.