Shtetet e Bashkuara do të rikthehen në Marrëveshjen e Parisit për klimën pas 39 ditësh. Këtë zotim e bëri presidenti i zgjedhur, Joe Biden, i cili postoi të shtunën një koment në Twitter ku thotë se Amerika do të përfshihet përsëri në paktin për të luftuar ndyshimet klimatike, që në ditën e parë të administratës së tij më 20 janar.
Presidenti i zgjedhur e bëri zotimin ndërkohë që afron pesë-vjetori i arritjes së Marrëveshjes së Parisit, ku 196 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara u angazhuan të forcojnë masat kundër çlirimit të gazeve të dëmshme për të luftuar ngrohjen klimatike.
Presidenti Donald Trump, i cili më parë e ka cilësuar ngrohjen klimatike si “trillim”, i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit më herët këtë vit, duke thënë se kufizimet e parashikuara nga kjo marrëveshje e vënë Amerikën në disavantazh ekonomik ndaj vendeve të tjera. Por zoti Biden, i cili ishte nënpresident kur administrata e Presidentit Obama nënshkroi marrëveshjen, ka njoftuar planin më ambicioz të ndonjë qeverie amerikane duke propozuar 1.7 trilionë dollar investime për të neutralizuar plotësisht deri në vitin 2050 gazet ndotëse që prodhon Amerika.
Zoti Biden krijoi edhe Emisarin për Klimën, një post i ri ku ai ka emëruar ish-sekretarin e shtetit, John Kerry për të përfaqësuar Amerikën në negociatat ndërkombëtare mbi problemin e ngrohjes globale.