Shqipëri, ILD kërkesë për shkarkimin e një tjetër gjykatësi

Në Shqipëri, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, (ILD) ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha, për shkak të disa vendimeve të saj që kanë çuar në lirimin e personave me emër të botës së krimit. Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë, Artur Metani, ka dorëzuar një dosje voluminoze prej më shumë se 70 faqesh në mbështetje të kërkesës së saj, duke paraqitur një analizë të detajuar ligjore mbi shkeljet që ky institucion thotë se ka gjetur.

ILD i është referuar, lirimit para kohe të Hekuran Billës, i dënuar me burgim të përjetshmë për vrasje në Angli. Vendimi u njoh dhe nga një gjykatë e shkallës së parë në Shqipëri, por më pas Apeli i Tiranës, i njohur një dënim për vetëm 25 vjet burg. Ndërsa në shkurt të vitit të shkuar, ndërsa i kishin mbetur 10 vite burg për t’u shlyer, gjyqtarja Hoxha, i fali 5 vite burgim, ndërsa 5 vitë të tjera iu konvertuan në shërbim prove. I transformuar në një biznesmen, Billa mbeti i vrarë në një atentat në qershor të këtij viti.

Të njejtën praktikë, gjyqtarja Hoxha, e cila ka firmosur disa vendime që i kanë dhënë lirinë të dënuarve të rrezikshëm, ka ndjekur dhe në rastin e Ilir Pajës, i dënuar më parë në Itali, por që gjatë vuajtjes së dënimit në Shqipëri, mori disa falje, derisa më pas u lirua po me kusht.

Sipas raportit që ILD ka dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019, gjykatësja Hoxha ka dhënë 6 vendime të cilat “përbëjnë akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Ka zhvilluar procese gjyqësore tërësisht të njënashme dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat materiale dhe procedurale penal. Ka kryer veprime dhe sjellje që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin. ILD ka kërkuar shkarkimin “për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës”.

Një ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas kërkesës po të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, vendosi shkarkimin e gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo, i cili u gjet në “shkelje të rëndë”, po për lrimin e një të dënuari me burgim të përjetshëm.