Agjencia e lajmeve Reuters dhe disa media amerikane kanë bërë të ditur se shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows i ka kërkuar kreut të Administratës së Ushqimit dhe Barnave Stephen Hahn të japë autorizimin për përdorimin e vaksinës kundër COVID-19, të kompanisë Pfizer brenda ditës të premte, duke shtuar se nëse kjo nuk ndodh ai duhet të përgatitet të japë dorëheqjen.
Lajmi iu konfirmua agjencisë Reuters nga një zyrtar i lartë i administratës të premten.
Zoti Meadows ia kishte komunikuar këtë zotit Hahn gjatë një bisede telefonike të premten. Por zyrtari i tha Reuters-it se komenti i zotit Meadows në lidhje me dorëheqjen "nuk ishte tejkalim i ndonjë kufiri”, por ishte më shumë një “thumbosje” me synimin për të nxitur "FDA-në për të vepruar me shpejtësi dhe për të kryer punën e shmangur vonesat".
Të enjten një komision këshillimor i qeverisë amerikane rekomandoi përdorimin emergjent të vaksinës së prodhuar nga kompanitë Pfizer-BioNTech. Kjo nënkupton që amerikanët mund të fillojnë të vaksinohen kundër koronavirusit gjatë fundjavës, ndërkohë që COVID-19 ka shkaktuar këto ditë shifra rekord viktimash.
Në pritje të vaksinës kundër COVID-19, spitalet po përgatisin stafin për protokollin e vaksinimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Të enjten, komisioni këshillimor i Administratës për Ushqimin dhe Ilaçet mbështeti autorizimin për përdorim emergjent të vaksinës së prodhuar nga kompanitë Pfizer-BioNTech, pasi analizoi shqetësimet e ngritura për të.
“Amerikanët kërkojnë dhe meritojnë një analizë rigoroze, të gjithanshme dhe të pavarur të të dhënave,” thotë Doran Fink, pjesë e komisionit këshillimor.
Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve nuk është e detyruar të ndjekë rekomandimin e komisionit. Por ajo pritet që të japë autorizim, gjë që nënkupton se vaksinimi mund të fillojë që këtë fundjavë. Presidenti Trump e quajti këtë sukses të madh gjatë një takim të nivelit të lartë që organizoi mbi vaksinën në fillim të javës, ku nuk kishte ftuar anëtarë të ekipit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Ekipet përkatëse të tranzicionit, kanë filluar të komunikojnë vetëm pak kohë më parë dhe presidenti ende nuk e ka pranuar humbjen.
“Është bërë një punë e pabesueshme. Do të jetë e pabesueshme edhe për administratën e ardhshme. Shpresojmë që të vazhdojë të jetë një administratë Trump edhe në të ardhmen,” tha presidenti.
Po atë ditë, zoti Biden prezantoi ekipin e administratës së ardhshme për shëndetin publik. Ai tha se do t’u kërkojë amerikanëve të mbajnë maskë për 100 ditët e para të administratës së tij, premtoi të hapë shkollat dhe të realizojë vaksinimin.
“Të paktën 100 milionë amerikanë do të vaksinohen në 100 ditët e para të administratës sime,” tha zoti Biden,
Në fillim të javës, Shtetet e Bashkuara regjistruan numrin më të lartë të viktimave me mbi 3,100 të vdekur nga COVID-i brenda një dite.
Mbi 192 mijë vetë kanë vdekur në këtë vend dhe janë identifikuar mbi 15 milionë të infektuar. Kjo situatë e pret administratën e ardhshme.
“Duhet të përqëndrohen tek mesazhi i duhur në komunikimin me publikun, tek pajisja e personelit mjekësor me të gjitha që u nevojiten, tek shpërndarja e vaksinave. Të gjitha këto duhet të fillojnë që në ditën e e parë të administratës së ardhshme,” thotë analisti Anand Parekh.
Të parët do të vaksinohen dhjetëra miliona punonjës të shëndetësisë, pasuar nga personeli dhe banorët e qendrave për të moshuarit, individët me sëmundje të tjera ekzistuese si dhe amerikanët e moshuar. Pjesa tjetër e popullatës do të duhet të presë deri në prill apo maj të vitit të ardhshëm.