Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nisi sot (e premte) nga Shkodra bashkrendimin e punës me strukturat vendore për të bërë të mundur gjetjen dhe identifikimin e varreve të kundërshtarëve politikë të kohës së komunizmit.
Your browser doesn’t support HTML5
Drejtoresha e autoritetit, Gentiana Sula tha se, për shkak të zhvillimeve demografike dhe urbane të 30 viteve të fundit, këto vendvarrime po shkojnë drejt zhdukjes.
"Jemi këtu sot për të filluar një dialog konstruktiv me pushtetin vendor dhe institucionet vendore ligjzbatuese për t’i treguar edhe një herë që ky vend këtu mund të jetë vendvarrimi i fshehtë, i paidentifikuar akoma, i varreve të munduara të disa qindra qytetarëve. Kemi patur raportime konkrete të familjarëve të kësaj zone, të cilët kanë gërmuar, i kanë gjetur eshtrat, por i kanë mbyllur pasi kanë qenë në pamundësi. Por identifikimin janë munduar ta bëjnë vetë.
Zonja Sula thotë se nga dëshmitë e familjarëve, deri tani janë identifikuar 73 vendvarrime të kundërshtarëve politikë të kohës së komunizmit, por sipas saj, ka edhe të tjera që duhen kërkuar, identifikuar dhe ruajtur për të mos u tjetërsuar. Ajo thotë se do t’i kërkohet parlamentit që të mundësojë ngritjen e një strukture të veçantë që të merret me mostjetërsimin e vendvarrimeve të periudhës së komunizmit.
"Së pari të ruajnë vendvarrimet dhe vendekzekutimet. Është edhe një kërkesë ligjore e ligjit të trashëgimisë kulturore se këto janë vende kujtese. Njëkohësisht edhe prokuroria duhet të fillojë hetimet për të gjetur vendvarrimin e munguar, duhet t’i shpallë vende nën hetim përsa kohë ka rrëfime të familjeve dhe, njëkohësisht pushteti vendor me shërbimet e veta të bëjë gërmimet, gjithmonë përmes bashkëpunimit me ne".
Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politikë të Shkodrës, Zenel Drangu, thotë se zhdukja e varreve të kundërshtarëve politikë të regjimit komunist është një nga krimet më të rënda të periudhës së diktaturës në Shqipëri.
"Në Shkodër janë 450 përsona që nuk ju gjenden eshtrat, pra nuk e kanë një varr. Këtu janë shumë vende ku janë pushkatu. Janë pushkatu tek Rrapi, brenda varreve katolike, dhe i kanë trasportu me makinë ushtarake dhe i kanë sjellë këtu, në Zall të Kirit.
Drejtoresha e Autoritetit për Informimin mbi Domumentet e ish Sigurimit të Shtetit thotë se rreth 6 mijë përsona u ekzekutuan gjatë regjimit komunist dhe se po bashkëpunohet me Komisionin Ndërkombëtar të të Zhdukurve, që është i pranishëm prej tre-katër vitesh në Shqipëri, për identifikimin e vendvarrimeve të tyre duke përdorur teknologjinë e kohës.