Një anëtar hungarez i Parlamentit Evropian dha papritur dorëheqjen nga organi i BE-së pasi policia ndërhyri për të shpërndarë një mbrëmje argëtimi ku ai merrte pjesë në Bruksel, pasi shkelte kufizimet e vendosura për koronavirusin.
Në faqen e tij elektronike personale të martën, Jozsef Szajer, një figurë e njohur në partinë Fidesz të krahut të djathtë që udhëhiqet nga kryeministri Viktor Orban, konfirmoi se ai kishte qenë i pranishëm në atë mbrëmje javën e kaluar. Ai nuk komentoi lidhur me përshkrimet e mediave belge për mbrëmjen si një orgji vetëm me meshkuj në zemër të distriktit me bare për homoseksualët në qytet.
Në deklaratën e tij, Szajer mohon njoftimet se ai kishte përdorur drogë. Ai tha se sapo policia mbërriti në vendin e ngjarjes, "deklarova se isha ligjvënës pasi nuk kisha një kartë identifikimi. Policia zhvilloi procedurën sipas rregullave, dha një paralajmërim verbal dhe më pas u shoqërova në shtëpi."
"Më vjen keq që kam thyer rregullat e grumbullimit. Ishte një shfaqje papërgjegjshmërie nga ana ime, dhe do të marr përsipër dënimet që vijnë nga kjo shkelje."
Zëdhënësja e zyrës së prokurorit të Brukselit, Sarah Durant konfirmoi se policia shpërndau një feste që u zhvillua në një banesë në qendër të qytetit të premten në mbrëmje pasi u thirrën të ndërhynin për shkak të shqetësimeve për zhurmën.
Zyra e prokurorit nuk konfirmoi njoftimet e medias se ajo ishte një mbrëmje e shfrenuar seksuale. Zëdhënësi i policisë së Brukselit nuk pranoi gjithashtu të komentonte.
Të gjithë ata që morën pjesë në mbrëmje u denoncuan për shkelje të masave kundër COVID-19 që ndalojnë tubimet shoqërore.
"Përveç raporteve të policisë, ka gjithashtu një propozim për të arritur një zgjidhje miqësore," tha Durant, duke shtuar se çështja do të mbyllet nëse personat paguajnë gjobën.
Rasti është i fundit në një seri skandalesh që përfshijnë anëtarët e partisë ultra-konservatore Fidesz, e cila ka reklamuar mbrojtjen e vlerave të familjes së krishterë në Hungari.