Ekspertët: Gazetarët e rrezikuar duhet të marrin viza që t'i shpëtojnë përndjekjes

  • Henry Ridgwell

Your browser doesn’t support HTML5

Viza për gazetarët e rrezikuar

Një grup avokatësh të njohur nga Britania dhe Kanadaja, që mbrojnë lirinë e medias, thonë se gazetarëve që përballen me përndjekje dhe dhunë duhet t'u jepen viza emergjente për t'i ndihmuar ata të gjejnë strehë të përkohshme. Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Your browser doesn’t support HTML5

Viza për gazetarët e rrezikuar

Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët. Tetë gazetarë janë vrarë atje këtë vit.

"Kur nisem për një punë, unë nisem me idenë se të mbulosh një ngjarje është një punë me rrezik."

Të paktën 61 gazetarë janë vrarë në Pakistan që nga viti 1992, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Në shumë vende, reporterët janë në shënjestër thjesht sepse bëjnë punën e tyre.

Komisioni i Nivelit të Lartë të Ekspertëve Ligjorë për Lirinë Globale të Mediave, i mbledhur nga Britania dhe Kanadaja dhe i miratuar nga Kombet e Bashkuara, po bën thirrje për një sistem global vizash të emergjencës për gazetarët që përballen me përndjekje si një nga nëntë rekomandimet kryesore.

"Këtu flasim për gazetarë që në shumicën e rasteve janë në rrezik të drejtpërdrejtë dhe kanë nevojë të lëvizin - shpesh përkohësisht - në vende të sigurta derisa të mos ketë më rrezik për ta. Kjo lloj sigurie për ta është mënyra e vetme që këta gazetarë të shmangin gjëra shumë, shumë serioze që mund t’u ndodhin, si rrëmbim, zhdukje me forcë, ndalim arbitrar, dhunë apo edhe vrasje."

Zhvendosja e tyre nuk është e lehtë. Marrja e një vize për në një vend tjetër mund të zgjasë me javë dhe shpesh është e shtrenjtë dhe pa asnjë garanci pranimi. Ata që kërkojnë azil politik zakonisht duhet së pari të mbërrijnë në destinacion para se të aplikojnë gjë e pamundur për shumë gazetarë që i nënshtrohen përndjekjes.

"Korniza ndërkombëtare për strehim të sigurt nuk funksionon për ta."

Gazetarët shpesh detyrohen të kërkojnë rrugë alternative për sigurinë e tyre.

“Shpesh, ata detyrohen të ikin në një vend fqinj, mbase atje ku kufiri kalohet më lehtë. Por udhëtimet janë të vështira dhe të rrezikshme”, thotë Elisabeth Witchel e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Në të kaluarën gazetarëve të tillë u jepej strehë e sigurtë.

“Për shembull, gjatë luftës në Irak në mesin e viteve 2000, qeveria amerikane jepte viza për individë, përfshirë gazetarë, që kishin lidhje me kompanitë amerikane sepse ishin në shënjestër”, thotë zonja Witchel.

Komisioni i avokatëve po bën thirrje që një sistem i tillë strehimi të zyrtarizohet dhe të përhapet në shtetet e angazhuara për mbrojtjen e lirisë së medias.