Shqipëri, pikëpyetje mbi vlerësimin e dëmeve në shkollat që do të financohen nga BE

Në Shqipëri, një raport paraprak i Kontrollit të Lartë të Shtetit i konsideron të pabaza akt-ekspertizat që sugjerojnë prishjen e 7 shkollave në Durrës dhe rikonstruksionin e katër të tjerave, duke vënë në pikëpyetje procesin e vlerësimit të dëmeve për shkollat që do të financohen nga Bashkimi Europian. Ky material është në kuadër të bashkëpunimit të Zërit të Amerikës me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, pikëpyetje mbi vlerësimin e dëmeve në shkollat që do rindërtohen

“Gjimnazi “Naim Frashëri” në qytetin e Durrësit qëndron i kyçur prej muajit mars, në pritje të prishjes dhe rindërtimit me fondet që Bashkimi Europian ka vendosur në dispozicion të rikuperimit të Shqipërisë nga tërmeti i një viti më parë. Në akt-ekspertimin e kryer pas tërmetit të 26 nëntorit, kjo shkollë u vlerësua se nuk kishte dëme në strukturë dhe ishte e banueshme. Por Bashkia e Durrësit kërkoi një ekspertizë të thelluar në Institutin e Ndërtimit, i cili sugjeroi më pas që godina të prishej.

Ky gjimnaz, është një nga 11 godinat arsimore të bashkisë së Durrësit që Komiteti Shtetëror i Rindërtimit vendosi t’i bënte pjesë të fazës së dytë të programit “BE Për Shkollat”. Sipas një vendimi të marrë më 2 korrik, shtatë prej këtyre godinave do të rindërtohen nga e para, ndërsa katër të tjera do të riparohen.

Por një raport paraprak auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngre pikëpyetje serioze nëse këto godina arsimore u dëmtuan vërtet nga tërmeti, ndërsa konstaton se Bashkia e Durrësit dhe Instituti i Ndërtimit shkelën kuadrin ligjor gjatë procesit të vlerësimit të dëmeve.

Shkollat e destinuara për t’u shembur u rihapën dy javë pas tërmetit dhe zhvilluan një proces normal mësimor deri në fillim të marsit, kur Shqipëria u fut në karantinë për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Qëndruam në mjediset e shkollës duke zhvilluar mësimin normalisht, duke u rimbyllur sërish shkolla për shkak të pandemisë. Në mjediset tona erdhën edhe nxënësit dhe mësuesit e shkollës Bedri Bebeziqi, të cilët e zhvilluan procesin mësimor në të njëjtën godinë me ne, kuptohet me dy turne”, shpjegon Drejtoresha e gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, Enkelejda Alizoti.

Sipas audituesve të KLSH-së, Bashkia e Durrësit inicioi kërkesa për akt-ekspertime të thelluara për 11 objektet arsimore, ndonëse ekspertizat paraprake i kishin vlerësuar ato si të padëmtuara në strukturë dhe të banueshme.

Raporti thekson se këto kërkesa bien në kundërshtim me Aktin Normativ nr.9 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, i cili pëcakton se akt-ekspertimet e thelluara kryhen vetëm në rastet kur kërkohen nga konstatimet paraprake. KLSH thekson gjithashtu se Instituti i Ndërtimit realizoi në kushtet e konfliktit të interesit, edhe akt-ekspertimet e thelluara për 11 godinat , edhe oponencën e tyre. Akt-ekspertimeve të thelluara u mungojnë analizat laboratorike apo një vlerësim i kostove për ndërhyrjet, çka bie gjithashtu në kundërshtim me Aktin Normativ.

Akt-ekspertimet që rekomandojnë prishjen e 7 prej godinave arsimore në Durrës përmbajnë, sipas KLSH-së, konkluzione shabllone dhe të kundërta me vlerësimet paraprake të grupeve të inspektorëve. Grupi i audituesve të KLSH-së, konstaton se procesi i vendimarrjes, veçanërisht në rastet e prishjeve të detyruara, është i pabazë dhe njëkohësisht mbart rriskun që të jetë i gabuar.

Tërmeti i një viti më parë që goditi Shqipërinë e Mesme u mori jetën 51 personave dhe plagosi qindra të tjerë. Mes mijëra ndërtesave të dëmtuara, 143 ishin shkolla, kopshte, çerdhe dhe konvikte.

Bashkimi Europian është donatori më i madh në procesin e rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti, duke alokuar deri më tani mbi 65 milionë euro. Programi “BE për shkollat” po zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin, UNDP dhe pritet të realizojë rindërtimin dhe rikonstruksionin e mbi 70 godinave arsimore të dëmtuara.

I pyetur rreth konkluzioneve të Kontrollit të Lartë i Shtetit, Delegacioni i Bashkimit Europian u përgjigj se nuk ishte njohur ende me to, por shpresonte të merrte draftin përfundimtar, të cilin tha se do ta analizonte me kujdes. Delegacioni shtoi gjithashtu se programi “BE për Shkollat” varet nga vlerësimi i dëmeve që kryen qeveria e Shqipërisë dhe nga vendimet e Komitetit Shtetëror të Rindërtimit. “As Delegacioni i BE-së, as UNDP-ja nuk janë të përfshira në vendimet e marra nga Komiteti Shtetëror për Rindërtim,” nënvizoi Delegacioni.

Bashkia e Durrësit nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara mbi gjetjet e KLSH-së, por deklaroi se ishte në pritje të raportit përfundimtar, i cili do të reflektojë edhe oponencën e saj.

Ndërsa Instituti i Ndërtimit i hodhi poshtë akuzat për konflikt interesi, ndërsa shtoi se i kishte kryer akt-ekspertimet e thelluara me kërkesë të Bashkisë së Durrësit. Sipas Institutit të Ndërtimit, 11 objektet arsimore kishin një jetëgjatësi mbi 50 vjeçare dhe e kishin të domosdoshme kryerjen e akt-ekspertizave.