Megjithë polemikat që kanë lindur nga faljet që ka miratuar Presidenti Trump, përfshirë faljen e bashkëpunëtorit të tij, Michael Flynn këtë javë, presidenti e ka pordorur autoritetin e tij për falje shumë më pak se pararendësit e tij, sipas një analize nga një grup kërkimor.
Qendra Kërkimore Pew analizoi të dhëna të Departamentit të Drejtësisë dhe arriti në përfundimin se Presidenti Trump kishte bërë 29 falje, ku përfshihet edhe zoti Flynn. Ai gjithashtu ka përdorur autoritetin presidencial për të miratuar 16 shkurtime të afatit të dënimit që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë në 2017.
Pararendësi i tij, Barack Obama, pat nxjerrë dekrete për 212 falje dhe 1,715 shkurtime të dënimit në tetë vjetët e tij në post. Presidenti George Herbert Bush (babai) miratoi 74 falje, por vetëm tre shkurtime dënimi gjatë katër vjetëve në detyrë.
Individë të ndryshëm mund t’i bëjnë apel presidentit që të tregojë mëshirë përmes dy formash: falje ose reduktim të masës së dënimit. Reduktimi nënkupton shkurtim të pjesshëm ose anulim të plotë të ndëshkimit, ndërsa falja e liron të dënuarin nga ndëshkimi si dhe pasoja të tjera në të ardhmen, si rezultat i krimit.
Të mërkurën, Presidenti Trump fali Michael Flynn, i cili në 2017 pranoi fajësinë se kishte gënjyer në pohimet e tij para agjentëve të FBI-së lidhur me biseda që kishte zhvilluar me ambasadorin e atëhershëm të Rusisë në Uashington, Sergey Kislyak, lidhur me sanksionet e administratës Obama ndaj Moskës, gjatë tranzicionit në administratën Trump në dhjetor 2016.
“Urime Gjeneralit Flynn dhe familjes së tij të mrekullueshme. E di që do të kaloni një Ditë Falenderimesh vërtetë fantastike!” shkruante presidenti në Twitter të mërkurën, një ditë para Ditës së Falenderimeve.
Ky akt u ndërmor ndërkohë që një gjykatës federal po peshon mundësinë e hapjes së një çështjeje gjyqësore lidhur me vendimin e papritur të Departamentit të Drejtësisë më herët për të anuluar akuzat që kishte ngritur kundër zotit Flynn.
Studiuesit nënvizojnë se, megjithëqë zoti Trump ka miratuar më pak falje dhe ulje dënimesh se pararendësit e tij, ka të ngjarë që të ketë falje të tjera në javët në vazhdim.
“Nuk mund të spekuloj përse Presidenti Trump ka bërë kaq pak falje deri tani, apo se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen,” thotë për Zërin e Amerikës përmes emailit John Gramlich, studiues për organizatën Pew.
“Por nuk është e pazakontë që një president të njoftojë falje në ditët e fundit të mandatit, pra numrat e Presidentit Trump mund të rriten”.
Presidenti ka miratuar 0.5% të kërkesave për mëshirë të dërguara në adresë të administratës së tij. Por disa ekspertë parashikojnë se mund të shohim falje të tjera për ish-bashkëpunëtorë të tij, siç bëri për zotin Flynn.
Sipas gazetës The New York Times, avokatët e Rick Gates dhe George Papadopoulos, ish-punonjës të ekipit zgjedhor të zotit Trump, mund t’i dërgojnë kërkesë për falje presidentit së shpejti.
Gates dhe Papadopoulous u shpallën fajtorë për vepra penale që dolën në dritë gjatë hetimeve të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për lidhjet mes ekipit të zotit Trump dhe Rusisë.
Presidenti Trump fali për herë të parë Joe Arpaio-n, sherif në Arizona, i shpallur fajtor për shenjestrim të paligjshëm në baza racore. Falja u përcoll me revoltim dhe kritika nga aktivistë e organizata të njohura, përfshirë Unionin Amerikan për Liri Civile, i cili e quajti këtë masë “mbështetje presidenciale për racizmin”.