Shkodër, hapet fushata kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore

  • Pëllumb Sulo

Your browser doesn’t support HTML5

Fushata zhvillohet me moton "Bëje Botën Portolkalli: Dëgjo, Beso, Mbështet". Përfaqësues të shoqatave joqeveritare bënë të ditur se, periudha e pandemisë ka ndikuar në dyfishimin e rasteve të dhunës në familje ndaj grave dhe vajzave.

Your browser doesn’t support HTML5

Shkodër, hapet fushata kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore

Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit fushata zhvillohet në kushtet e pandemisë COVID-19 dhe masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së vitusit. Lorena Bardeli, që punon për shërbimet sociale në Bashkinë e Shkodrës, thotë se pandemia ka patur një ndikim të thellë në jetën e grave dhe vajzave duke shtuar rastete dhunës ndaj tyre.

Statistikat e fundit tregojnë që një në dy gra ëshë e dhunuar nga partneri intim gjatë jetës së saj. Edhe për Bashkinë e Shkodrës mbetet shqetësues si fenomen. Sidomos, situata COVID-19 solli të papritura dhe të panjohura. Gjatë muajve të izolimit shifrat u dyfishuan në krahasim me vitin e kaluar. Periudha e pandemisë na vuri në dukje se fenomeni është i fshehur dhe se ai shpëthen nga një shkak i jashtëm.

Drejtuesja e shoqatës “Gruaja tek Gruaja”, Trendelina Boriçi, thotë se, shtimi gjatë këtij viti i rasteve të dhunës me bazë gjinore lidhet drejtpërsëdrejti me rrethanat që pandemia krijoi brenda familjeve shqiptare, ku ndikim ka jo vetëm gjendja e rënduar shëndetsore dhe psikologjike, por edhe pasiguria për jetën, rëndimi i gjendjes ekonomike, humbja e vendeve të punës si dhe periudha e gjatë e izolimit.

Analiza e përgjithshme tregon se ka dyfishim të rasteve të dhunës. Nëqoftëse në periudhën janar-tetor 2019 kemi patur 379 raste të dhënies këshillime psiko-sociale dhe ndihmë juridike, në periudhën janar-tetor 2020kemi 607 raste. Pra, duket qartë dyfishimi i rasteve. Ndërsa në strehëzën e emergjencës, ku trajtohen rastet e të mbijetuarave të dhunës, grave dhe fëmijëve të tyre, në vitin 2019 kemi patur 18 raste ndërsa në 2020 kemi 36 raste.

Sipas përfaqësueses së shoqatës “Gruaja tek Gruaja”, është e rëndësishme që institucionet të jenë më të përgjegjshme në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave ndaj dhunës që ushtrohet në familje.

Përfaqësuesit e shoqatave joqeveritare vlerësuan ndryshimet e fundit ligjore, të marra nga parlamenti në nëntor, ku parashikohet largimi i menjëhershëm i dhunuesit nga banesa si dhe detyrimi i dhunuesit të marrë pjesë në programe psiko-sociale rehabilitimi.