“Tkurrja e hapësirës qytetare në Shqipëri"; Forum nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim zhvilloi sot në Tiranë Forumin “Tkurrja e hapësirës qytetare në demokracinë e Shqipërisë”.

Studiues dhe analistë folën me shqetësim se si kriza e ashpër politike e vitit të kaluar mund të thellohet më tej, tani që u shoqërua nga tërmeti dhe pandemia.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim trajtoi sot në një diskutim të hapur zhvillimet demokratike dhe hapësirat qytetare gjatë 5 viteve të fundit.

Your browser doesn’t support HTML5

“Tkurrja e hapësirës qytetare në Shqipëri"; Forum nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim

Studiuesit dhe analistët shprehën shqetësimin se nën pasojat e rënda nga tërmeti i një viti më parë dhe pandemia aktuale, kriza e përgjithshme politike që po kalon Shqipëria po thellohet, gjë që mund të sjellë zmbrapsje nga demokracia dhe të drejtat qeytetare.

“Bashkëpunimi i organizatave joqeveritare për të rifituar hapësirat qytetare e demokratike është shumë i vështirë përballë këtij shteti të kapur nga krimi, përballë këtij narko-shteti” - tha mes të tjerash analisti i politikës, Fatos Lubonja.

Ai theksoi se kapja e shtetit në Shqipëri ka përfshirë edhe kapjen e mediave dhe të shoqërisë civile, ndërsa mekanizmat e kontrollit dhe balancës demokratike janë përherë e më të dobëta dhe të kompromentuara.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim theksoi se, përherë e më shumë në raportet ndërkombëtare dhe vendase po flitet për rënien e demokracisë dhe për nevojën për “t’u përballur me joliberalizmin” në Ballkanin Perëndimor.

Raporti Kombet në Tranzicion / Nations in Transit 2020 “Rënia e fasadës demokratike” argumenton se udhëheqësit politikë të rajonit nuk fshihen më pas fasadës së të bërit sikur e bindjes formale, por janë duke sulmuar haptazi institucionet demokratike dhe po mundohen të zhbëjnë edhe ato pak mekanizma kontrolluese që i kanë mbetur pushtetit të tyre.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim po përgatit edhe një studim mbi “Tkurrja e hapësirës qytetare në Shqipëri gjatë viteve 2015-2020”, gjetjet e të cilit pritet të publikohen së shpejti.

Një vit më parë Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrimtar me shumë vdekje, plagosje dhe dëmtime banesash, menjëherë më pas erdhi pandemia COVID-19.

E ndërkohë që opozita ka bojkotuar parlamentin dhe shumë institucione të drejtësisë janë në reformim e sipër, shumë qendra studimore dhe organizata qytetare po shohin me shqetësim reduktimin e të drejtave njerëzore përballë qeverisjes së socialistëve pa ndonjë oponencë të vërtetë.