Kur udhëheqësit e Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Kroacisë u mblodhën në qytetin Dejton në Ohajo, në nëntor të vitit 1995, në Bosnje po bëheshin katër vite që nga fillimi i luftës. Konflikti përshkallëzoi tensionet e thella etnike duke shkaktuar vdekjen e rreth 100 mijë njerëzve dhe dëbimin nga shtëpitë e tyre të gati 2 milionë banorëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dino Jahiç analizon marrëveshjen e cila nga shumë zëra u cilësua si rruga që i dha fund luftës, por nga shumë kritikë u quajti vula që shkaktoi bllokadën e cila po vazhdon tash 25 vite në Bosne dhe Hercegovinë.
Your browser doesn’t support HTML5
Disa muaj para nënshkrimit, forcat serbe vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë myslimanë, burra dhe djem të Srebrenicës, masakra që më vonë u cilësua si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës për ish Jugosllavinë, me seli në Hagë.
Pas shumë përpjekjeve të dështuara ndërkombëtare për ndërprerjen e luftimeve, ishte diplomati amerikan Richard Holbrooke ai që ndërmjetësoi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit. NATO, si garantuese e paqes, dërgoi 60 mijë trupa paqeruajtëse.
Marrëveshja konfirmoi pavarësinë e Bosnjes dhe i hapi rugë krijimit të presidencës, parlamentit dhe qeverisë. Po kjo marrëveshje ndau vendin në dy etnitete, Federatën Boshnjako-kroate në njërën anë dhe Republikën Serbe në anën tjetër, dy palë me autonomi të zgjeruar dhe struktura të ndërlikuara politike.
James Pardew ishte pjesë e ekipit amerikan në negociata. Ai thotë se sfida më e madhe para Dejtonit ishte struktura e ndërlikuar e procesit të bisedimeve.
“Kishim të bënim me ish presidentin serb Slobodan Miloseviç në Beograd, një gjë sfiduese dhe e vështirë. Ai ishte dinak që fantazonte sikur gjoja nuk është i përfshirë në Bosnje. Të gjitha ishin të pavërteta. Por edhe udhëheqësit tjerë kishin interesat dhe agjendat e tyre. Ndërsa zoti Hoolbrooke duhej të krijonte rrugë në mes tyre”, tha diplomati amerikan James Pardew.
Procesi negociues kulmoi në Bazën e Forcave Ajrore “Wright-Patterson” në Dejton, ku udhëheqësit e republikave Jugosllave – Izetbegoviq, Tudjman dhe Millosheviq – u pajtuan për ndaljen e luftës. Marrëveshja e arritur më 21 nëntor në Dejton u ratifikua përfundimisht më 14 dhjetor në Paris.
Robert Gelbard ishte përfaqësues special i Presidentit amerikan dhe sekretarit të shtetit për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, nga prilli 1997 deri në gusht 1999.
Edhe para kësaj detyre ai ishte i angazhuar me rajonin e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe bashkëpunimin për kapjen e kriminelëve të luftës.
“Ishim dëshmitarë të një rezistence të jashtëzakonshme nga disa qeveri të rajonit, veçanërisht nga Serbia. Ka shumë probleme me Marrëveshjen e Dejtonit, por unë vazhdoj të mendoj, 25 vite më vonë, se ishte një arritje e shkëlqyer nga Richard Holbrooke dhe ata që punuan me të", tha Robert Gelbard, diplomat amerikan.
Zoti Gelbard shton se dështimi erdhi më vonë, nga mosgatishmëria e komunitetit ndërkombëtar që pasi të ishte qetësuar gjithçka të ulej dhe të krijonte rrethanat për rishikim dhe përmirësime kushtetuese duke krijuar mjedisin që do ta bënte Bosnjen dhe Hercegovinën një shtet të suksesshëm.
ShBA luajti rol kryesor në arritjen e paqes, por qëllimi afatgjatë i Bosnjes gjithmonë ka qenë integrimi evropian. Në dy dekadat e fundit politikanët e Bosnjes kanë dështuar në përpjekjet për ndryshime kushtetuese dhe arritjen e reformave të nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian. BE-ja nga ana tjetër e ka ngadalësuar procesin e zgjerimit.
Megjithatë, i dërguari i posaçëm për Ballkanin në Departamentin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, thotë se aspitara evropiane e Bosnjes nuk ka alternativë.
“Marrëveshja e Paqes së Dejtonit ishte e suksesshme në arritjen e synimit kryesor, që ishte fundi i luftës, dhunës dhe vuajtjeve. Krijimi i themelit mbi të cilin populli i Bosnjes dhe Hercegovinës mund të ndërtojë të ardhme të qëndrueshme. Ende kërkohet shumë punë. Synimi i Bosnjes dhe Hercegovinës për integrim të plotë në familjen evropiane ende nuk është arritur”, tha zoti Palmer.
Mungesa e stabilitetit, sipas dy diplomatëve Gelbard dhe Pardew, shkaktohet edhe nga udhëheqja e serbëve të Bosnjes, në veçanti politikanit Milorad Dodik.
Zoti Dodik, aktualisht anëtar serb në presidencën e ndarë mes tri partive në Bosnje dhe Hercegovinë, pas luftës ishte udhëheqës pro-perëndimor dhe kishte mbështetje të madhe ndërkombëtare.
Më pas ai përqafoi nacionalizmin, duke kërcënuar me shkëputjen nga Bosnja të të ashtuquajturës “Republika Serbe”.
Më 2017 ShBA vunë sanksione ndaj tij për shkelje të vazhdueshme të Marrveshjes së Dejtonit.
Sidoqoftë, Matthew Palmer thotë se reformat dhe mbajtja përgjegjës e udhëheqësve, janë rrugët që mundësojnë krijimin e një vendi funksional dhe në shërbim të qytetarëve.