Ndërsa shumë skena në të gjithë botën janë mbyllur, spektatorët në Tajvan po marrin një dhuratë të rrallë muzikore. Drama muzikore "Fantazma e Operas" po vihet në skenë, pasi tenorët dhe ekuipazhi realizues përfunduan karantinën e nevojshme për të hyrë në vend.
Është rishfaqur "Fantazma e Operas", disa mund të thonë kundër të gjitha gjasave.
Me mbylljen e teatrove në mbarë botën, nga pandemia e virusit, kjo kompani është ndër të paktat në gjendje të interpretojë në skenë.
Your browser doesn’t support HTML5
Trupa po vë në skenë për disa javë në Taipei Arena në Tajvan, muzikalin e Andrew Lloyd Webber-it për një figurë misterioze të maskuar.
Aktorët dhe ekipi realizues kanë përfunduar 14 ditë karantinë për të sjellë shfaqjen këtu.
Para se të mbërrinin në Tajvan, trupa interpretoi në Kore në mars të këtij viti si pjesë e turneut të tyre.
Turi global i shfaqjes është anuluar në të gjitha vendet e tjera të botës për shkak të virusit.
"Nuk ka asnjë industri teatri tani në të gjithë botën. Ka qenë periudhë shumë e vështirë për kompaninë, për të gjithë ne, që ta pranonim, edhe kur ishim në Kore për shtatë muajt e fundit ku gjërat ishin shumë nën kontroll për sa i përket COVID-19", thotë Rainer Fried, ndihmës regjisori i "Fantazmës së Operas".
"Jemi vazhdimisht të vetëdijshëm se miqtë dhe kolegët tanë në të gjithë botën janë të papunë. Nuk ka punë, nuk ka teatër, nuk ka punë dhe kjo është shkatërruese".
Shfaqja në Taipei punëson gati 130 anëtarë të stafit, përdor 230 kostume dhe 170 paruke për aktorët dhe aktoret.
Historia flet për një gjeni muzikor të shpërfytyruar, i cili jeton nën Pallatin e Operës së Parisit dhe bëhet i fiksuar pas një sopranoje të bukur.
Jonathan Roxmouth, i cili luan Fantazmën, thotë se pandemia ka sjellë një mirëkuptim të ri për këtë personazh.
"Kalojmë shumë kohë në karantinë dhe izolim. Kështu që, të gjithë ne në një farë mënyre u bëmë si fantazma, të mbyllur në një dhomë, të detyruar të mbajmë maskë, të frikësuar nga dalja jashtë në botë", thotë ai.
"Shpresoj që spektatorët që dikur shikonin Fantazmën dhe e perceptonin personazhin e Fantazmës si një vepër trillimi në të vërtetë mund të ndjejnë simpati tani për Fantazmën dhe të dinë se si ndjehet ai ".
Që kur u hap në Nju Jork në vitin 1988, ajo është bërë shfaqja me jetëgjatësinë më të madhe në historinë e Broadway-it.
Kaley Ann Voorhees, e cila luan në rolin e personazhes kryesore, Christine Daaé, thotë se kjo opera do të ringrihet sërish.
"Mendoj se kur teatri të hapet përsëri, njerëzit do të dëshirojnë atë lloj shfaqjeje që të jep ndjesinë e familjarizuar dhe të njohur. Dhe për shumë njerëz këtë e bën Fantazma", thotë zonja Voorhees.
"Është përcjellë nga brezi në brez. Kështu që, njerëzit sjellin fëmijët e tyre, gjyshërit ua prezantojnë nipërve dhe mbesave të tyre. Prandaj unë jam shumë optimiste, dhe mendoj se Fantazma, nuk ka dyshim se do të mbijetojë patjetër".
Shfaqja muzikore "Fantazma e Operas" u çel në Taipei Arena më 19 nëntor dhe do të zgjasë deri më 6 dhjetor.