Ivestimet në vepra arti

Your browser doesn’t support HTML5

Investimi në art është diçka që jo shumë njerëz mund ta përballojnë. Por kjo mund të ndryshojë falë një kompanie të re në Nju Jork të quajtur Masterworks.

“Shumë thjesht – investitorët mund të vijnë në faqen tonë, ku mund të shohin vepra të ndryshme arti dhe të investojnë nga 500 dollarë e deri në mijëra dollarë për një pikturë të caktuar”, thotë themeluesi i kompanisë.

Scott Lynn, një koleksionist i cili në vitin 2017 themeloi kompaninë Masterworks, thotë se koncepti i pronësisë së pjesshme u jep njerëzve shumë mundësi që dikur ishin vetëm për super të pasurit. Është pjesë e një prirjeje të re në treg - që quhet demokratizimi i veprave luksoze. Por Lynn thotë se pjesë e punës së tij është të kërkojë për investitorë pa shumë para.

“Për shembull, shumë njerëz përdorin llogaritë e tyre të pensionit për të investuar në këto piktura. Kështu që ne duam të sigurohemi që fitimi për investimin e tyre të jetë sa më i parashikueshëm dhe që rreziku të jetë i arsyeshëm", thotë Scott Lynn.

Kur një kryevepër arti blihet në ankand nga një koleksionist, ajo zakonisht zhduket nga sytë e publikut. Por në rast të pronësisë së pjesshme, vepra e artit vazhdon udhëtimin nga një muze në tjetrin.

"Na pëlqen ideja që t'i blejmë këto piktura dhe më pas t'i japim me qera në muzeume, në mënyrë që të shihen në publik", thotë Scott.

Karantina e nxitur nga koronavirusi ka shumëfishuar oreksin e investitorëve për artin. Që kur pandemia goditi Shtetet e Bashkuara në mes të marsit, kompania Masterworks ka tërhequr mbi 10 mijë investitorë të rinj në muaj.

Në përgjithësi, njerëzit kanë investuar mbi 30 milionë dollarë në 15 kryevepra botërore. Në dy vitet e fundit, janë blerë vetëm pesë vepra arti.

"Ne besojmë se arti është një klasë më vete e pasurive - që do të thotë se nuk shkon domosdoshmërisht në të njëjtin drejtim me tregun e aksioneve. Ajo që kemi parë me COVID-in është se megjithëse ka pasur një rënie të madhe të vëllimit të përgjithshëm të shitjeve, ne kemi parë që çmimet tona janë rritur. Vetëm në qershor, pamë 22 artistë që vendosën rekorde çmimesh”, thotë Scott Lynn.

Çmimet e naftës dhe arit, si dhe aksionet e kompanive janë të prirura të luhaten në varësi të situatës në botë dhe ndryshimit të politikave. Por edhe indeksi i bursës Dow Jones është i pafuqishëm kur bëhet fjalë për kryeveprat botërore.