Presidenti Meta kthen ligjin për metrologjinë, e quan klientelist

Në Tiranë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi sot se ligji për metrologjinë, që e ktheu pas në parlament, është antikushtetues dhe klientelist.

Your browser doesn’t support HTML5

Meta: Ligji për metrologjinë klientelist. Qeveria: E përafruam me BE-në

Zoti Meta kërkoi dje hetime nga Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion SPAK, për hartimin e këtij ligji, i cili sipas tij, synon të ligjërojë një skemë korruptive.

Por sipas qeverisë dhe parlamentit, ligji synon të përafrojë Shqipërinë me Direktivat e Bashkimit Europian në këtë fushë, sepse ligji i mëparshëm kishte shumë probleme.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi se parlamenti nuk duhej të miratonte kurrësesi një ligj që dëmton rëndë gjithë qytetarët dhe konsumatorët.

Ai i kërkoi dje prokurorisë speciale për antikorrupsionin SPAK, të hetojë mbi këtë koncension, ku përfshihen mjetet matëse të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, që qeveria mund t’ia japë në mënyrë ekskluzive një personi juridik privat.

Zoti Meta Ligji dhunon konkurrencën e lirë, cënon rëndë interesin dhe financat publike si dhe të drejtat e konsumatorëve, ligjëron ekskluzivitetin e shërbimeve publike nga subjekte të paracaktuara private, duke krijuar vet parlamenti monopole në dëm të tregut të lirë dhe konkurrues.

Ligji i ri u miratua nga parlamenti me shumicë të thjeshtë. Autoritetet pohuan se rishikimi i ligjit të mëparshëm u bë i domosdoshëm sepse gjatë zbatimit dolën mangësi në disa procedura teknike.

Ligji ekzistues për metrologjinë është miratuar në vitin 2008 dhe qeveria thotë se në këto 12 vite direktivat e BE-së në këtë fushë janë shfuqizuar dhe rishikuar herë pas here.

Ligji i ri është i harmonizuar me termat dhe kërkesat europiane të fushës dhe me ligjet mbi produktet industriale joushqimore, theksoi qeveria.

Po ashtu riorganizimi i inspektoriatit për metrologjinë dhe për mbikqyrjen e tregut kërkoi ristrukturimin e akteve ligjore të kësaj fushe.

Parlamenti e miratoi ligjin e sjellë nga qeveria, siç thuhet në relacionet e komisioneve përkatëse parlamentare, sepse ligji përafron direktivat e BE-së për metrologjinë, vlerësime krejt të kundërta me ato të presidentit.

Ka disa kohë që presidenti Meta po kthen pas për rishqyrtim ligjet e reja që miratojnë qeveria dhe parlamenti me shumicë socialiste.

Presidenti thotë se gjen në to shkelje kushtetuese, ndërsa socialistët vlerëosjnë se kjo është pjesë e një angazhimi politik të tij dhe i rimiratojnë menjëherë ligjet e kthyera.