Shqipëria shton përpjekjet në përballimin e pandemisë Covid-19

Shqipëria dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë nënshkruan sot në Tiranë një marrëveshje dyvjeçare bashkëpunimi për emergjencat dhe kujdesin shëndetësor.

Drejtori i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, po viziton Shqipërinë, si pjesë e përpjekjeve për të fuqizuar reagimin e koordinuar rajonal ndaj COVID-19 gjatë Pandemisë.

Your browser doesn’t support HTML5

OBSH-ja dhe Shqipëria, marrëveshje bashkëpunimi për emergjencat

Zoti Kluge deklaroi në Tiranë se Europa është një nga zonat më shumë të goditura nga virusi vdekjeprurës Covid 19, i cili sulmon grupet më të dobëta.

Ndërsa treguesit e pandemisë Covid-19 për Shqipërinë vazhdojnë të përkeqësohen, drejtori i OBSH-së nënshkroi me autoritetet shqiptare Marrëveshjen e Bashkëpunimit, që synon të përmirësojë mbulimin e Kujdesit Shëndetësor Universal dhe reagimin ndaj emergjencave duke kontribuar për një popullsi më të shëndetshme.

Zoti Kluge tha se krahas shëndetit mendor, Europa dhe njëkohësisht me të edhe Shqipëria po punojnë fort edhe për rritjen e imunizimit në këtë stinë të vështirë; sepse Covid dhe gripet e tjerë do të mbivendosen dhe kjo ëhstë një sfidë për të gjithë.

Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se Qeveria shqiptare po ndjek rekomandimet e OBSH- për përballimin e situatës së pandemisë me burime të shtuara në kapacitetet e gjurmimit, testimit, hetimit epidemiologjik.

“Kjo pandemi nuk përballet vetëm. Ekipet mjekësore të Shqipërisë po përballen prej 8 muajsh me Pandeminë, ndërkohë që autoritetet po rritin kapacitetet e gjurmimit, hetimit epidemiologjik dhe testimeve

dhe do të përfshijmë testin e shpejtë të Antigenit që do ta sigurojmë falas për qytetarët. Pjese e strategjise sone ka qene edhe sigurimo ne kohe i vaksinës se gripit falas për 368 mijë qytetarë të grupeve të rrezikuara duke e 4-fishuar atë në krahasim me një vit më parë. Qeveria është angazhuar të parapaguajë në Aleancën COVAX përmes parapagimit, për të siguruar vaksinën COVID për 20 % të popullsisë, ose afro 1 milion e 136 mijë doza” - tha ministrja Manastirliu.

Shqipëria ka regjistruar deri tani 590 të vdekur dhe 25 mijë të prekur, dhe është duke rritur kapacitetet spitalore deri në 1 mijë e 600 shtretër, duke perfshire gradualisht edhe spitalet rajonale.