Për disa votues hispanikë, politikat e Trumpit ndihmuan në diferencën e ngushtë të garës

FILE - A supporter wearing a "Latinos for Trump" T-shirt attends U.S. President Donald Trump's campaign rally in Wildwood, New Jersey, Jan. 28, 2020.

Megjithëse është parashikuar të humbasë zgjedhjet, Presidenti Donald Trump e bëri garën më të ngushtë nga sa ç’pritej, pjesërisht duke fituar këtë herë një përqindje më të lartë të votave të pakicave, veçanërisht mes popullsisë latino dhe hispanike në rritje, krahasuar me vitin 2016.

Rritja e votës së hispanikëve për Trump-in, nga 28% në vitin 2016 në 32% në nivel kombëtar këtë vit, sipas rezultateve të sondazheve, hodhi poshtë parashikimin e shumë demokratëve se latino-amerikanët do të votonin në shumicë dërrmuese kundër Trump-it, bazuar thjesht në retorikën dhe politikat e tij të ashpra anti-emigrantëve.

"Mendoj se në të ardhmen, duhet ta analizojmë më hollësisht votën e latino-amerikanëve. Nuk votojnë si një grup i vetëm," tha Elaine Kamarck, një analiste politike në Institutin Brookings.

Vlerat republikane

Pavarësisht përmirësimit të mbështetjes në favor të Trump-it, latino-amerikanët mbështetën Bidenin (afërsisht 2-me-1). Shumë prej tyre shprehën kundërshtim të fortë ndaj politikës së administratës Trump për ndarjen e fëmijëve emigrantë nga familjet e tyre në kufirin SHBA-Meksikë.

Sidoqoftë, votuesit hispanikë janë në pjesën dërrmuese katolikë ose të krishterë konservatorë. Shumë prej tyre janë dakord me presidentin Trump dhe Partinë Republikane për martesat e homoseksualëve dhe abortin.

"Unë jam pro jetës dhe kjo është një nga arsyet që kam votuar për Donald Trump-in", tha Maria Posada, një inxhiniere me origjinë meksikane, e cila ka lindur në Teksas.

FILE - A woman holds a sign reading in English, "Latinos For Trump" at the Republican National Convention in Cleveland, Ohio.

Disa hispanikë konservatorë gjithashtu pëlqyen iniciativat e Trumpit pro-biznesit, uljen e taksave federale dhe zbutjen e rregulloreve të qeverisë dhe nuk i përfillën premtimet e përsëritura të demokratëve për rritjen e pagave, zgjerimin e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe për të rregulluar sistemin e prishur të emigracionit në Shtetet e Bashkuara.

"Ne latinot besojmë se, pavarësisht se çfarë thonë, demokratët nuk do t'i mbajnë premtimet e tyre", tha Nelson Reynaldo, një kontraktor në Virxhinia, që ka ardhur nga El Salvadori.

Florida and Teksasi

Një rritje e mbështetjes së pakicës latine ndihmoi Trump-in të fitojë shtetin e Floridës me mbi 51% të votave, duke sfiduar disa sondazhe para-zgjedhore që e vinin zotin Biden përpara me deri në pesë për qind diferencë.

Shumë amerikanë me origjinë kubane dhe venezueliane u larguan nga këto vende që i konsiderojnë se u shkatërruan nga politikat socialiste.

Kufizimet e ashpra tregtare të presidentit Trump të vendosura ndaj Kubës komuniste dhe përpjekjet për të rrëzuar nga pushteti udhëheqësin socialist të Venezuelës Nicolas Maduro u pëlqyen nga shumë votues kubano-amerikanë dhe venezueliano-amerikanë në Majami.

Përpjekjet e fushatës së presidentit Trump për t’i portretizuar demokratët si socialistë mund të kenë "mobilizuar shumë kubano-amerikanë", thotë Sergio Garcia-Rios, një profesor i studimeve latino-amerikane në Universitetin Cornell.

Joe Biden, senator për një kohë të gjatë dhe ish-nënpresident gjatë dy mandateve të Presidentit Barack Obama, konsiderohet si një politikan i moderuar. Por disa progresistë në Partinë e tij Demokrate kanë përqafuar idetë e socialistëve demokratë duke bërë thirrje për programe të mëdha të financuara nga qeveria për të zgjeruar kujdesin shëndetësor dhe për të luftuar ngrohjen globale.

Sipas sondazheve, rreth 55% e votave të kubano-amerikanëve në Florida shkuan për presidentin Trump, së bashku me 30% të portorikanëve. Në vitin 2016, zoti Trump fitoi vetëm katër nga 10 vota të pakicës latino-amerikane në këtë shtet në garën e tij kundër rivales demokrate Hillary Clinton.

Disa mbështetës latino-amerikanë thonë se zoti Biden e la pas dore Floridën për pjesën më të madhe të fushatës, ndërsa zoti Trump mbajti tubime të shumta në këtë shtet, që shumë vëzhgues politikë e konsideruan si një "fitore të domosdoshme" për Trumpin por me më pak rëndësi për rrugën e Bidenit drejt Shtëpisë së Bardhë.

"Biden me të vërtetë ishte i vonuar," tha Claudia Ruiz, një analiste e politikave me UnidosUS, organizata më e madhe në vend për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit latino-amerikan.

Ekipi i fushatës së zotit Biden ka kundërshtuar javët e kaluara kritikat nga disa demokratë se nuk u përqëndrua sa duhet tek ky komunitet.

Trump gjithashtu fitoi bindshëm në Teksas me mbi 52% të votave, pavarësisht sondazheve parazgjedhore që tregonin një garë të ngushtë në këtë shtet me një popullsi latine me rritje të shpejtë.

Sipas sondazheve të zgjedhjeve në atë shtet, katër në 10 hispanikë votuan për Trumpin në Teksas, nga tre në 10 në vitin 2016. Shumë votues të Trumpit përmendën mundësitë ekonomike si temën e tyre kryesore në përcaktimin e votës, ndërsa mbështetësit e zotit Biden vendosën përparësinë e luftës kundër pandemisë së koronavirusit.

Klisheja e Monolitit

Rritja e mbështetjes për presidentin Trump në këto zgjedhje, thonë analistët, pasqyron rritjen e diversitetit në nivelin ekonomik, arsim, prirjet politike, historinë e imigracionit dhe vendin e origjinës mes hispanikëve në Amerikë.

"Ne nuk jemi një grup monolit," thotë Albert Morales, drejtor për politikën për firmën e anketave Latino Decisions.

Në të njëjtën kohë, rritja e mbështetjes për Trumpin mes latino-amerikanëve, të cilët i dhanë atij 32% të votave të tyre, përsëri ishte nën 40% të votave të fituara nga presidentët e kaluar republikanë Ronald Reagan, George H. W. Bush dhe George W. Bush nga ky komunitet.

Supporters of US President Donald Trump rally outside the "Latinos for Trump Roundtable"

Dhe ndërsa vota e komunitetit latino-amerikan e ndihmoi Trumpin të fitonte në Florida dhe Teksas, ajo gjithashtu ndihmoi Biden-in në shtetet tradicionalisht republikane si Arizona dhe Xhorxhia. Popullata hispanike në rritje luajti një faktor në pothuajse çdo shtet, duke përfshirë shtetet kryesore që vendosën këto zgjedhje në favor të zotit Biden - Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsën.

"Nuk ka asnjë shtet tani ku ne nuk jemi të rëndësishëm," thotë zoti Morales.

Sondazhet e kryera pas votimit nga grupi Edison Research treguan gjithashtu se rreth 11% e afrikano-amerikanëve dhe 30% e aziatiko-amerikanëve votuan për presidentin Trump, rreth tre për qind rritje nga të dyja grupet krahasuar me vitin 2016.