Për herë të parë, Arma e Këmbësorisë amerikane ka muzeun e saj.
Muzeu Kombëtar i Këmbësorisë hapet të mërkurën me rastin e Ditës së Veteranëve, në Fort Belvuar të Virxhinias.
Këmbësoria është shërbimi i vetëm ushtarak amerikan që nuk kishte një muze kombëtar.
I vendosur 32 kilometra nga Uashington DC, muzeu pasqyron historinë e shërbimit më të vjetër ushtarak të vendit, që filloi para 245 vitesh më 1775.
Ndërtesa e madhe prej pesë katesh përmban ekspozita interaktive, dramatike dhe historike. Vizitorët do të kenë rast të shohin edhe mijëra dokumente, fotografi, krijime artistike dhe artefakte të madhësive të ndryshme.
Muzeu përfshin edhe një tank ikonë “Sherman” i përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, një helikopter nga lufta e Vietnamit, një transportues i blinduar nga lufta e Irakut më 2003 dhe një shalë kalërimi e forcave speciale të ushtrisë e përdorur në malet e Afganistanit më 2001.
Një ekspozitë tjetër shumë interesante është ilustrimi i sulmit të forcave amerikane në brigjet e Normandisë në atë që njihet si Dita-D gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Janë ekspozuar edhe helmeta, shpata dhe medalje, madje edhe një orë që ishte gjetur në një pjesë të dëmtuar të Pentagonit pas sulmeve të 11 shtatorit.
Drejtoresha e muzeut, Tammy Call, i tha Zërit të Amerikës se megjithëse shumica e eksponateve përqëndrohen në aktivitete të luftës, muzeu gjithashtu vë në dukje operacionet dhe misioniet humanitare amerikane në të gjithë botën.
Një ndër eksponatet kryesore është quajtur “Tregimet e Ushtarit”, një hapësirë ku ndahen rrëfime individuale të ushtarëve si pjesë e historisë gjithëpërfshirëse. Siç thotë zonja Call, kjo mundëson që përvoja në muze të jetë shumë personale dhe reflektuese.
Jack Querfeld, drejtor i çështjeve të brendshme në selinë e Legjionit Amerikan në Indianapolis të Indianës, tha se ishte befasuar me ngjarjet e shumta të ekspozuara dhe mënyrën e ilustrimit të tyre.
“Muzeu Kombëtar i Këmbësorisë do të jetë një vend ku pjestarët e ushtrisë të mblidhen dhe të ndajnë historitë e tyre”, tha Ruan D. McCarthy, sekretar i Këmbësorisë.
Kjo do të thotë shumë për B.J. Lawrence, drejtor ekzekutiv i zyrës së veteranëve të luftërave të huaja në Uashington DC. Zoti Lawrence ishte reshter në Korenë e Jugut në fillim të viteve ’80.
Ai tha se muezu është i mrekullueshëm, ndërsa vizitonte kompleksin. Ekspozitat e Luftës së Koresë i bënë përshtypje të veçantë.
“Unë vazhdoj të punoj për kthimin e ushtarëve të zhdukur në betejë“, thotë zoti Lawrence.
“Mendoj se muzeu do të ndihmojë fëmijët dhe gjeneratat e ardhshme të kuptojnë se çfarë kanë përjetuar paraardhësit e tyre ushtarakë“, thotë Jack Querfeld.
“Muzeu na tregon rëndësinë e shërbimit ushtarak në vendin tonë. Dhe ndihmon në shpjegimin e lirisë që gëzon sot populli amerikan“, shton zoti Lawrence.