Në vitin 2016, kandidati Donald Trump mori presidencën pasi fitoi Kolegjin Elektoral, ndonëse rivalja Hillary Clinton fitoi votën popullore.
Por çfarë është Kolegji Elektoral?
Kur qytetarët votojnë për presidentin në zgjedhjet e së martës, ata votojnë për një grup elektorësh nga shteti i tyre, të cilët më vonë hedhin votën për kandidatin që ka marrë më shumë vota në atë shtet.
Your browser doesn’t support HTML5
Ky është Kolegji Elektoral, i cili përveç emrit nuk ka lidhje me arsimin e lartë.
Nëse Presidenti Trump fiton një shtet, grupi i elektorëve në atë shtet do të votojë në Kolegjin Elektoral. Nëse shtetin e fiton Joe Biden, grupi i tij i elektorëve fiton edhe votat e Kolegjit në atë shtet.
Elektorët janë kryesisht njerëz partiakë, të cilëve mund t’u besohet për të votuar për kandidatin e preferuar.
Në historinë amerikane, më shumë se 99 për qind e elektorëve kanë votuar për kandidatin që ka fituar shtetin. Kjo sipas Arkivave Kombëtare.
Çdo shtet ka numër të barabartë elektorësh me anëtarët që ka në Kongres.
Distrikti i Kolumbias ka tre elektorë, aq sa ka edhe shteti më i vogël amerikan.
Pra shtetet me popullsi më të madhe kanë më shumë elektorë.
Si rezultat, ato marrin më shumë vota elektorale.
Kolegji Elektoral ka gjithsej 538 elektorë.
Fituesi i zgjedhjeve duhet të ketë më shumë se gjysmën, pra 270 vota elektorale.
Presidenti do të inaugurohet më 20 janar 2021.