Më 19 tetor në Florida filluan votimet e hershme. Që në ditën e parë u vërejt një numër rekord pjesëmarrësish. Florida është një ndër shtetet e lëkundura që kanë një peshë të madhe në këto zgjedhje.
Në ditën e parë të votimeve të hershme në Florida, njerëzit pritën në radhë të gjata për të hedhur votën.
Florida është shteti më i rëndësishëm në grupin e të ashtuquajturave shtete të lëkundura, pasi ka numrin më të madh të votave elektorale. Ai që merr shumicën e votave në Florida siguron të 29 votat elektorale të këtij shteti, ose mbi 10% të totalit që duhet për të fituar presidencën.
Anketat tregojnë se ish-nënpresidenti Joe Biden gëzon një epërsi të vogël ndaj Presidentit Trump.
“Gjatë gjashtë muajve të fundit, zoti Biden ka kryesuar vazhdimisht krahasuar me zotin Trump me 2-6% epërsi,” thotë politologu Jeremy Geddert.
Klima e acaruar politike duket se është një ndër arsyet për pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje të votuesve floridianë.
“Kam banuar në Majami për 25 vjet. Unë dhe bashkëshorti u larguam nga Nju Jorku dhe u vendosëm këtu. Kjo është vota më e rëndësishme e jetës sime, prandaj erdha që ditën e parë. Më vjen mirë që ka kaq shumë njerëz,” thotë një banore e Majamit.
“Mendoj se votimi i hershëm është i ngjashëm me çdo proces tjetër. Desha të shmang turmat, radhët e gjata. Më mirë herët se nuk i dihet se çfarë problemesh mund të më dalin pas një jave apo dy. Sot kisha kohë dhe vendosa ta shfrytëzoj për të votuar,” thotë Ariel Fersly, banor i Majamit.
“Unë zgjohem herët gjithsesi sepse shkoj herët në punë. Doja ta kryeja. Mendova se nuk do të kishte radhë të gjata sot, por do të pres deri sa të më vijë radha e pastaj do të shkoj në punë,” tha Ignasios Savaleda, banor i Majamit.
Ekspertët parashikojnë pjesëmarrje rekord votuesish këtë vit gjë që do të rezultojë në radhë të gjata në shumë qendra votimi. Ndërkaq, mbi 2.5 milionë vetë kanë dërguar tashmë votat me postë.